Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj në Kosovë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë 16 shtatorit.
Në këshillat e saj për sigurinë në Kosovë, Ministria e Jashtme franceze rekomandon që shtetasit francezë të qëndrojnë larg tubimeve, veçanërisht atyre me karakter politik.
Paralajmërimi vjen në prag të 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Për këtë ditë janë paralajmëruar tubime të mëdha në Kosovë, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara të sigurisë.
Shtetasit francezë këshillohen të shmangin zonat ku priten grumbullime të mëdha dhe të tregojnë vigjilencë gjatë lëvizjeve të tyre.
Ndërkohë, edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për tubimet e 16 shtatorit, duke u bërë thirrje që të shmangin zonat e protestave dhe të kenë parasysh mundësinë e bllokimit të rrugëve dhe pengesave në qarkullim.
Seanca në rastin “Thaçi dhe të tjerët” pritet të nisë në ora 10:00.
