Java e shtatë e Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje, të cilat do të zhvillohen nga ora 16:00.
Në Drenas, Feronikeli ’74 do të jetë nikoqir i Vushtrrisë, në një përballje mes dy skuadrave të sapopromovuara në elitën e futbollit kosovar. Feronikeli ’74 kërkon fitoren e dytë këtë edicion, pasi në pesë ndeshjet e tjera ka pësuar humbje, ndërsa Vushtrria ende nuk ka marrë asnjë rezultat pozitiv pas gjashtë xhirove.
Në ndeshjen tjetër, Malisheva do të presë Ballkanin në stadiumin “Liman Gegaj”. Malisheva synon fitoren për të mbajtur hapin me liderin Prishtinën, e cila mbrëmë triumfoi në udhëtim ndaj Gjilanit.
Në anën tjetër, Ballkani do të kërkojë t’i rikthehet fitores pas dy ndeshjeve pa rezultat pozitiv. Në xhiron e fundit, skuadra nga Suhareka barazoi 0:0 në shtëpi ndaj Dukagjinit.
