Kuvendi miraton deklaratën e PDK-së për aktgjykimin e Speciales dhe në mbrojtje të UÇK-së

Kuvendi miraton deklaratën e PDK-së për aktgjykimin e Speciales dhe në mbrojtje të UÇK-së

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Deklarata është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa teksti është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësim të thellë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, duke ngritur shqetësime edhe për transparencën dhe standardet e gjykimit të drejtë.

Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe përgjegjësinë e atribuuar mbi këtë bazë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes deklaratës, Kuvendi u bën thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e asaj që në dokument cilësohet si e vërteta dhe pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, që do të përfshinte veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.

Në dokument rikujtohen rrethanat në të cilat, sipas Kuvendit, u zhvillua lufta e UÇK-së, si dhe roli i ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës.

Kuvendi shpreh gjithashtu qëndrimin se Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin për të cilin ishte pranuar themelimi i tyre.

Në deklaratë kundërshtohet çdo përpjekje për të vënë në dyshim luftën çlirimtare të Kosovës apo për të përmbysur atë që Kuvendi e konsideron të vërtetën historike të vendit.

Në përmbyllje, Kuvendi thekson se do të mbrojë të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë dhe respektimin e standardeve të kërkuara, krahas asaj që në deklaratë cilësohet si e vërteta e luftës çlirimtare.

Related Articles