KFOR-i: Batalioni britanik mbërrin në Kosovë, dislokimi rutinë nuk ndryshon mandatin e misionit

KFOR-i: Batalioni britanik mbërrin në Kosovë, dislokimi rutinë nuk ndryshon mandatin e misionit

Personeli, pajisjet dhe automjetet nga Batalioni i Parë i “The Rifles” të Mbretërisë së Bashkuar kanë mbërritur në Kosovë, si pjesë e Forcës Rezervë Strategjike të KFOR-it.

Një zëdhënës i KFOR-it ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një dislokim rutinë, të planifikuar më herët, ndërsa gjatë gjashtë javëve të ardhshme trupat britanike do të zhvillojnë aktivitete stërvitore.

“Personeli, pajisjet dhe automjetet nga Batalioni i Parë i The Rifles të Mbretërisë së Bashkuar kanë mbërritur në Kosovë, për një dislokim rutinë, të planifikuar më herët, si pjesë e Forcës Rezervë Strategjike të KFOR-it”, deklaroi zëdhënësi.

“Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, ata do të zhvillojnë disa aktivitete stërvitore, si pjesë e kontributit të kahershëm të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, shtoi ai.

Sipas KFOR-it, dislokimi i batalionit britanik nuk lidhet me ndonjë ndryshim të mandatit të misionit.

“Dislokimi i këtij batalioni nga Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqëson një ndryshim në mandatin e KFOR-it dhe nuk është pjesë e procesit të nisur për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it, për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij”, deklaroi zëdhënësi.

Ai ka theksuar se KFOR-i vazhdon të ketë si detyrë krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.

“KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, nën mandatin e tij të kahershëm të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet në deklaratë.

“KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme, në çdo kohë dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, ka përfunduar zëdhënësi i KFOR-it.

Related Articles