Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Kurti ka bërë të ditur se marrëveshja është arritur në Zyrën e Kryeministrit, pas bisedimeve dhe përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve të subjekteve politike shqiptare.
Ai ka falënderuar kryetarët e subjekteve politike pjesëmarrëse, Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin në arritjen e marrëveshjes.
“Vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët”, ka shkruar Kurti, duke vlerësuar se marrëveshjet marrin jetë përmes besimit, respektimit të fjalës dhe punës së përbashkët.
Në reagimin e tij, Kurti ka ngritur edhe çështjen e përfaqësimit të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë. Ai ka bërë një krahasim me përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, duke argumentuar se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku pesë ulëse të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili ka 250 vende.
“Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu si çështje kryesore mbrojtjen nga pasivizimi i adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës, simboleve dhe kujtesës kombëtare.
Kurti ka theksuar se, pavarësisht ndasive dhe vështirësive të deritanishme, bashkëpunimi politik duhet të përkthehet në punë konkrete për qytetarët e Luginës së Preshevës.
Po ashtu, ai ka përsëritur se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke e lidhur këtë angazhim me çështjet e të drejtave, identitetit dhe mirëqenies së tyre.
