Organizata Qika i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila morri sot pjesë në protestën e organizuar pas vrasjes së 18 vjeçares në Ferizaj.
Nga kjo organizatë kanë thënë se pjesëmarrja e ministrave dhe qeveriatarëve tjerë në protestën e sotme është e pakuptimtë dhe e pavend.
“Qika” i ka kërkuar ministres që para se të jetë fizikisht në protestë të zbatojë strategjinë. për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Njoftimi i plotë:
Nuk është punë prezence, është mungesë veprimi
Pjesëmarrja e ministrave dhe qeveritarëve të tjerë në protestën e sotme është e pakuptimtë dhe e pavend, ashtu siç janë edhe deklaratat e tyre shfajësuese (përligjëse) për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit. Para se të jetë fizikisht në protestë, ministrja duhet të jetë para strategjisë së munguar tash e tetë muaj.
Strategjia kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje 2016-2020, ka skaduar në dhjetor të vitit 2020, e cila edhe ashtu është zbatuar vetëm pjesërisht. Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për draftimin dhe zbatimin e kësaj strategjie.
Protestat e grave po kërkojnë përgjegjësi institucionale për dhunën e vrasjet që po ndodhin. Rehatia e qeveritarëve për të protestuar kundër institucioneve që vet i drejtojnë, nuk guxon të lejohet. Kërkesat e parashtruara sot në protestë nuk kanë nevojë për mbështetje por realizim. Kjo është detyra juaj.
Me konsensus nuk arrihet drejtësia, as barazia. Betejat vazhdojnë.
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA