Vazhdon armëmbajtja pa leje në Kosovë, rreth 900 raste të raportuara për 8 muaj

Vazhdon armëmbajtja pa leje në Kosovë, rreth 900 raste të raportuara për 8 muaj

Armëmbajtja pa leje në Kosovë mbetet ende një ndër shqetësimet më të mëdha për sigurinë publike në vend, shkruan Gazeta “Enigma”.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Gazetën “Enigma”, kanë bërë të ditur se vetëm nga janari deri në gusht të këtij viti janë konfiskuar 834 armë të llojeve të ndryshme dhe 20 mijë e 525 copë municione të kalibrave të ndryshme.

Ndërkaq, asgjësimi apo edhe legalizimi armëve është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila në dhjetor të 2018-s kishte nisur një fushatë për legalizim të armëve.

Por, për 9 muaj sa kishte zgjatur periudha e legalizimit ishin paraqitur vetëm 2 mijë kërkesa për regjistrim të armëve, kryesisht nga qytetet Prishtinë e Prizren.

Nga zyra për informim e Policisë kanë theksuar se konfiskimi i armëve është bërë në nivel vendi, duke mos u përgjigjur në pytjen nëse ata kanë hasur në shitjen e këtyre armëve në treg të zi.

“Veprime ligjore janë ndërrmarrë nga organet e drejtësisë ndaj personave të dyshuar të përfshirë në veprime të kundërligjshme, përfshirë edhe posedimin ilegal të armëve dhe municionit. Rastet e vrasjeve i trajtojmë duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërrmerren të gjitha masat e nevojshme për kompetim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësis”, kanë thënë nga PK, për Gazetën “Enigma”.

Armëmbajtja pa leje që qoi në humbjen e jetëve në Gjilan e Pejë

Javën e kaluar në Pejë më 8 shtator, si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të vdekur dy zyrtarë të PDK-së dhe një tjetër u plagos.

Astrit Ademaj, kandidat për kryetar të Komunës së Pejsës dhe Blerand Kadriaj, ish-kandadi i PDK-së për Deçan mbetën të vrarë pas përleshjes jashtë një kafiterie në Pejë.

Ndërsa vëllai i Astritit, Avniu ishte plagosur, ku më pas i’u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprat penale për ta cilat dyshohet.

Në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur dy revole dhe disa fishekë, të cilat dyshohej se ishin përdorur gjatë aktit.

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda njoftoi se armët e përdoruar në veprën penale vrasje ishin në posedim të paautorizuar.

Katër ditë më vonë nga tragjedia në Pejë, më 12 shtator u raportua për nj tjetër vrasje në qytetin e Gjilanit.

Tre persona me veturë të markës “Audi A3”, ku dy nga prej tyre të armatosur i ishin afruar tashmë më të ndjerit B.V i cili ishte i ulur në një kafiteri në Gjilan dhe kishin shtënë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.

“Të pandehurit  F. O., G. B. dhe I. V. dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘vrasja e rëndë’ dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Dënimet për armëmbajtje pa leje

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ky kod parasheh gjobë deri në 7.500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Legalizimi i armëve

Ligji për armët rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, e shumë çështje tjetra.

Armët ndahen në kategorinë A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës etj.

Që një person të posedojë armë, sipas ligjit, duhet të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike, të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës e shumë kushte tjera që përcaktohen me ligj.

Vlenë të ceket se sipas Policisë së Kosovës në vitin e kaluar janë kryer 29 vrasje nga armët pa leje ndërsa janë konfiskuar 1.135 armë zjarri dhe mbi 32.700 municione të kalibrave te ndryshëm./Gazeta Enigma.

Related Articles