Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së targave të përkohshme për veturat që vijnë nga Serbia ka ngjallur shumë reagime. Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë si në Kosovë ashtu edhe në Luginë të Preshevës kanë përkrahur këtë vendim, shkruan Gazeta “Enigma”.
Vendimin e kreut të ekzekutivit të Kosovës e ka mbështetur kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka thënë për Gazetën “Enigma” se mirëpret çdo veprim që sovranizon Republikën e Kosovës, siç janë targat në rastin konkret, si masë e reciprocitetit ndaj shtetasve të Republikës së Serbisë.
“Procesi i fuqizimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës është në interes edhe të Luginës së Preshevës. Si i tillë, besojmë se edhe procesi i masave të reciprocitetit i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shoqërohet ditëve në vijim me vendime në interes të Luginës së Preshevës. Në rastin konkret, me vendime që do ta lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe të Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Sinani.
Kurse, politikologu Ljubomir Stanojkoviç në një prononcim për Gazetën Enigma ka thënë se sipas tij vendimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë i pritshëm që do të ndodhë ose së paku është pritur të ketë një veprim të madh politik.
“Mendoj që ky vendim është pritur që do të ndërmirret nga ana e Qeverisë së Kosovës para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, sepse indikatorët tregojnë që Vetëvendosje nuk e ka popullaritetin që kishte para zgjedhjeve Parlamentare dhe i është dashur ndonjë vendim i cili do të ndikonte për të ‘zgjuar’ opinionin, gjëgjësisht përkrahësit e saj, që në një mënyrë sërish ta votojnë masivisht në zgjedhje lokale”, ka thënë Stanojkoviç.
Ndërkohë, Elbasan Sulejmani banorë nga Komuna e Bujanocit ka deklaruar se ky vendim është dashtë të merret shumë kohë më parë.
“Shumë më herët është dashtë të merret ky vendim, unë udhëtoj shumë shpesh për në Kosovë dhe nuk e kam problem fare të pajisem me targa RKS”, ka thënë ai për Gazetën Enigma.
Ndërsa, kryeministri i vendit Albin Kurti sot ka mbajtur konferencë për media, në gjashtë mujorin e punës në krye të Qeverisë.
Kurti ka folur edhe për vendimin e 20 shtatorit që ka të bëjë me targat e përkohshme. Derisa për bllokimin e rrugës afër pikëkalimit në Jarinjë ai tha se kjo përbënë shkelje të pronës publike.
Njëkohësisht, ai ka bërë të ditur se për banorët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, do të shqyrtojnë një mundësi që ta korrigjojnë koston.
“Jemi të vetëdijshëm se shumë qytetar të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit duhet të paguajnë dhe më vjen keq për këtë por jemi duke shqyrtuar një mundësi që ashtu që të korrigjojmë këtë kosto që kanë”, tha Kurti.
Pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, MPB njoftoi se qytetarët përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare, nga e marta në mesdite mund të pajisjen edhe në të gjitha qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Republikën e Kosovës.
Veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.