Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, për situatën e krijuar në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targa.
E për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, sipas rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, grupi parlamentar i cili thërret seancë, duhet që t’i ketë 40 nënshkrime.
E lidhur me këtë për FrontOnline, ka folur shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai tha se deputetët e AAK-së i kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e seancës dhe se janë duke punuar për marrjen e nënshkrimeve edhe nga deputetët tjerë.
“Si grup parlamentar e kemi pa të nevojshme që një çështje që ka interesa nacionale të trajtohet në Kuvend, pasi që siç shihet, situata ka dalë jashtë kontrollit. Ne i kemi bërë nënshkrimet tona dhe jemi duke punuar që t’i bëjmë edhe nënshkrimet tjera. Jam i bindur qe do t’a kemi përkrahjen për këtë. Administrata është duke punuar për mbledhjen e nënshkrimeve”, tha ai.
Ndërsa për dhënien e nënshkrimeve për thirrjen e seancës se jashtëzakonshme për situatën e krijuar në veri, nuk janë deklaruar nga PDK-ja dhe LDK-ja.