“Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ndajnë të njëjtat qëllime – të ndihmojnë Kosovën të arrijë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë për Gazetën “Enigma”.
Kurse, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të enjten ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Por, ky zëdhënës nuk ka treguar nëse do të merren masa ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi këtë të fundit kanë refuzuar gazin amerikan.
“Për pyetje shtesë duhet t’ju drejtoj në Zyrën e Shtypit të MCC në Uashington”, thuhet tutje në përgjigje.
“Kjo do të thotë që investimet e zgjedhura për përfshirjen përfundimtare në një kompakt potencial MCC-Kosovë duhet të zhvillohen dhe vendosen nga Qeveria e Kosovës”.
“Që nga dhjetori 2018, duke punuar së bashku, ne kemi identifikuar tashmë disa propozime për investime si opsione për përfshirje në një kompakt të propozuar-përfshirë projektet për ruajtjen e energjisë, forcimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe zhvillimin e fuqisë punëtore përfshirëse gjinore dhe ngritjen e kapaciteteve”.
Po ashtu bëhet e ditur se në muajt e ardhshëm, MCC dhe Qeveria e Kosovës do të ndërmarrin hapa për të finalizuar më tej propozimet.
“Së bashku, MCC dhe Qeveria e Kosovës po punojnë drejt një peizazhi energjetik që mundëson biznes dhe tranzicion vetëm energjetik, duke u partnerizuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për kosovarët”.
“Që nga viti 2016, MCC ka bashkëpunuar me qeverinë e Kosovës për të përmirësuar jetën e kosovarëve të zakonshëm. Kjo përfshin një grant prej 49 milionë dollarësh i projektuar për të rritur kapacitetin institucional të qeverisë dhe për të zhvilluar dy projekte – Projekti i Peizazhit të Energjisë së Besueshme dhe Projekti i Qeverisjes Transparente dhe të Përgjegjshme”.
Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas refuzimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për gazin amerikan.
Sipas LDK-së, Kosova “refuzoi projektin më gjeostrategjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik”.
Ndërsa, gjatë një konference për media kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e targave dhe refuzimin e gazit amerikan.
“Refuzimi i qeveris ndaj këtij projekti të interesit gjeostrategjike dhe gjeopolitik me dobishmëri të lartë ekonomike për Kosovën, është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit dhe ndaj partneritetit Kosovë-Shtete Bashkuara të Amerikë dhe interasve amerikane ne Ballkan”, ka deklaruar Haradinaj.