Petkoviq: Kurti nuk e flet të vërtetën për reciprocitet, SHBA duhet t’ia shpjegojë se s’ka përparim pa dialog

Petkoviq: Kurti nuk e flet të vërtetën për reciprocitet, SHBA duhet t’ia shpjegojë se s’ka përparim pa dialog

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi sot se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për përdorimin e etiketave po funksionon pa probleme dhe se ai nuk pret probleme të mëdha.

Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund të flasë për “epokë reciprociteti”, sepse në fakt, siç tha ai, kjo ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes.

Sipas Petkoviqit, është rënë dakord që raundi tjetër i dialogut të fillojë me temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne do të bëjmë gjithçka që marrëveshja të funksionojë siç duhet, të kemi liri të lëvizjes dhe këtë e presim nga Prishtina, në mënyrë që të kemi qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve. Unë nuk pres probleme më të mëdha”, tha Petkoviq.

Ai tha se Kurti nuk e thotë të vërtetën kur flet për reciprocitetin.

“Marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të bazohen në një marrëdhënie asimetrike, sepse dialogu filloi në bazë të një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe mund të jetë ekskluzivisht asimetrik, sepse vetëm Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht në OKB”, tha Petkoviq.

I pyetur se çfarë pret nga angazhimi i shtuar i SHBA-së, Petkoviq tha se qëndrimet e Beogradit dhe SHBA-së ndryshojnë, por tha se Gabriel Escobar është diplomat me përvojë, i cili ka qenë në këtë zonë për një kohë të gjatë dhe se e kupton mirë Ballkanin Perëndimor.

“Është e qartë për të gjithë se nuk ka përparim pa dialog, dhe shpresoj se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin ndikimin e tyre në Prishtinë për t’ia shpjeguar këtë edhe Kurtit”, tha Petkoviq.

Related Articles