Gjykata Speciale dha të martën sinjalin e dytë se një lirim potencial nga paraburgimi i ish krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj mund të ndodh së shpejti, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga ky organ i kanë dhënë një ‘ultimatum’ policisë së Kosovës, se ka një muaj kohë të ofrojë garanci për lirimin e përkohshëm të Gucatit dhe Haradinajt.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, Policia një gjë të tillë duhet ta bëjë deri më 26 nëntor 2021.
“Policia e Kosovës të ofrojë informacion lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Gucatit dhe Haradinajt. Trupi gjykues II urdhëroi policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor 2021 të ofrojë informacion, ndër të tjera, lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.
E ndonëse ditë më parë u shprehën të gatshëm për plotësimin e çfarëdo kërkese që vjen nga Specialja, Policia e Kosovës të martën nuk iu është përgjigjur interesimit të Gazetës “Enigma”, për këtë çështje.
Mirëpo në një përgjigje me shkrim ditë më parë, Policia e Kosovës është shprehur e gatshme të zbatojë urdhrat nga Dhomat e Specializuara që veprojnë në Hagë, nëse një gjë e tillë i kërkohet.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet ligjore sipas mandatit të saj dhe ka të gjitha kapacitetet të përmbushë të gjitha detyrat dhe përgjegjësite, sipas kërkesës nga zyra e prokurorit, gjykata apo dhomat e specializuara”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Çka nënkupton kërkesa e Speciales, flasin njohësit e drejtësisë?
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini për Gazetën “Enigma” ka thënë se kërkesa e dytë e Speciales kundrejt policisë, është sinjal pozitiv se lirimi i Gucatit dhe Haradinajt mund të ndodh së shpejti.
“Z. Gucati dhe Haradinaj janë duke u mbajtur një kohë të gjatë në paraburgim edhe pse akuzohen për vepra për të cilat nuk parashikohet dënueshmëria e lartë”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket gatishmërisë së Policisë së Kosovës për të ofruar garanci, Qekini ka theksuar se ata kanë kapacitete të mjaftueshme. “Jam i bindur se policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e kufizimeve që mund të përcaktohen nga gjykata nëse merret vendimi për lirimin e tyre nga paraburgimi”, ka potencuar ai.
Një perspektiv tjetër ka dhënë, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Anton Nrecaj.
Ai gjatë një interviste për Gazetën “Enigma”, ka thënë se para së gjithash që të kuptohet qartë kërkesa e Speciales, duhet bërë dallimi i procesit të gjykimit të Gucatit e Haradinajt, me atë të Thaçit dhe të tjerëve.
“Z. Gucati dhe Haradinaj nuk akuzohen për krime lufte por për veprën penale për pengim të procesit gjyqësor ndaj z. Thaqi dhe të tjerët, d.m.th. për shkak të publikimit dhe rrjedhjes së informacioneve të dëshmitarëve potencialisht dëshmitar të mbrojtur dhe dy të akuzuarit është dashur qe ndaj tyre të vazhdoj procesi gjyqësor jo në paraburgim, por që procesi i tyre të vazhdoj mbrojtje në liri”, ka thënë ai.
Sipas tij “Është vërtet për t’u habitur se si Policia e Kosovës akoma nuk është në gjendje që Gjykatës Speciale t’i ofroj garanci jo vetëm në rastin e Gucati dhe Haradinaj por dhe të tjerëve”.
“Policia e Kosovës për raste të ngjashme ka ofruar garanci si në rastin e Ramush Haradinaj, për procesin që ka pasur në Hagë për krime lufte, ka rezultuar të jetë shumë efikase dhe e besueshme për gjykatën , dhe dua të besoj se Policia e Kosovës është e aftë, e gatshme dhe ka kapacitete që të menaxhoj situata të tilla ngase e njëjta ka përvoja të suksesshme në të kaluarën dhe nuk shoh ndonjë arsye se pse policia e Kosovës akoma nuk i është përgjigjur gjykatës per t’i ofruar asistencë Gjykatës Speciale në trajtimin e rasteve”, theksoi ndër të tjera ai.
Ai shtoi se “në fund të fundit është obligim ligjor i policisë që t’i asistoj gjykatës kurdo që ajo kërkon asistencë”.
Ndërkaq, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020. /Gazeta Enigma.