Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Marrëveshja e Washingtonit, e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kohën sa ai ishte president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të braktiset.
Në ditën kur ish-emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e vizitoi kufirin në mes të dy shteteve, Trumpi në një komunikatë për media ka thënë se “paqja është e mundshme, dhe s’duhet të ketë dorëzim për këtë”.
“Popujt e mëdhenj të Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme në ndjekjen e tyre për normalizim ekonomik. Marrëveshjet që administrata ime i ndërmjetësoi janë historike dhe nuk duhen braktisur, janë në pyetje shumë jetë. Rajoni është tepër i rëndësishëm dhe popujt kanë pritur kohë shumë të gjatë që krejt kjo punë të hidhet mënjanë. Sot, i dërguari im, ambasadori Ric Grenell, e vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për ta nxjerrë në pah këtë marrëveshje të rëndësishme. Njëjtë sikurse kemi dëshmuar në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet Abraham, paqja dhe normalizimi ekonomik janë të mundur, por nevojitet përpjekje e sinqertë dhe udhëheqje e palëkundur. Paqja është e mundur, mos u dorëzoni – në pyetje është prosperiteti afatgjatë i këtyre dy kombeve!” thuhet në komunikatën e Trumpit, të lëshuar nga zëdhënësi i tij.
Më 4 shtator 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, patën nënshkruar zotimet që njihet si Marrëveshja e Washingtonit. Ajo marrëveshje qe kritikuar nga udhëheqja aktuale e ekzekutivit. Zotimet përfshinin moratoriumet që Serbia të mos kërkojë çnjohje për një vit për Kosovën, e Kosovës iu kërkua të mos kërkonte anëtarësime në organizata ndërkombëtare për një vit.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar të vazhdohet me moratoriume duke i kërkuar Kosovës të mos aplikojë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare e Serbisë fushatën e çnjohjeve. Pavarësisht kërkesave, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur të heshtin karshi rekomandimeve./Gazeta “Enigma”/