Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se në lumin e Brezovicës gjatë ditës së djeshme ku edhe bëri vizitë, nuk ka pasur ujë të rrjedhshëm në shtratin e tij.
Aliu tha se kompanitë menaxhuese të hidrocentraleve në Brezovicë lëshojnë ujin vetëm nëse ka ndonjë vizitë të paralajmëruar, ndryshe jo.
“Ne kemi ardh dje pa paralajmërim dje këtu dhe situata ka qenë krejtësisht ndryshe prej kësaj qe kemi sot. Uji ka qenë pothuajse i palëvizshëm dje, sot kemi rrjedhë të ujit. Situata prej orës 5:30 dje dhe asaj sot, është krejtësisht ndryshme. Po ashtu duhet parë edhe pjesën tjetër, dje kemi ecë nëpër të sepse nuk ka pas ujë ndërkaq sot nuk mundemi me ecë. Vizitën që e kemi bërë dje ka qenë për kanalin e betonit që nuk do të duhej të ishte këtu”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se do të shikojnë se e ka leje dhe si është dhënë leja për ndërtimin e kanalit në lumin e Brezovicës.
Sipas tij, përgjegjësia është zinxhirore dhe se do të analizojnë se kush mund të konsiderohet përgjegjës për këto veprime.
Ndërsa ai ka treguar që këto vizita po realizohen për shkak të ankesave të aktivistëve dhe qytetarëve të kësaj zone.
“Pas shumë vërejtjeve që kemi marrë nga aktivistë e banorë, kemi dalë në terren. Këtu jemi në Brezovicë te lumi. Këtu kemi pasur vërejtje për shtratin e lumit, pas kësaj do ta vizitojmë lumin në Shtërpc. Unë kam qenë edhe dje në një inspektim pas orarit të punës” ka deklaruar Aliu.