Tri partitë e mëdha gjermane që pritet të formojnë qeverinë e re kanë nënshkruar të mërkuren një marrëveshje për koalicion, pjesë e të cilës ishte mbështetja për integrimin në Bashkimin Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja propozon hapjen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave me Kosovën si edhe vazhdimin e negociatave për Malin e Zi dhe Serbinë.
“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë prizëm, nënkuptojmë të gjithë reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit”, shkruhet në dokument.
Sipas marrëveshjes, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe fuqizimit të shoqërisë civile, njofton Euronews Albania.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga BE-ja ishte gjithashtu pjesë e programit të cilit qeveria gjermane do t’i ofrojë mbështetje, si edhe përpjekjet për të ruajtur një paqe afatgjatë në Bosnje Hercegovinë të bazuar në ruajtjen e integritetit territorial dhe vendosjen e urave lidhëse mes diferencave etnike.
Sot, Social-Demokratët, Liberalët dhe Partia e Gjelbër gjermane prezantuan marrëveshjen për koalicion. Kancelari i ri i Gjermanisë do të jetë lideri i Social-Demokratëve, Olaf Scholz./Gazeta Enigma/