Besnik Berisha, avokat i të dyshuarit për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj, ka njoftuar se pala e akuzuar në këtë rast ka paditur trupin gjykues të rastit në fjalë, pasi rihapën shqyrtimin gjyqësor.
Sipas Berishës, me vendimin për rihapje të shqyrtimit gjyqësor i janë shkaktuar dëme të pariparueshme Gogajt dhe familjes së tij.
Në publikimin e Berishës shihet se padia është për kompensim të dëmit jomaterial. Ndaj të paditurve gjyqtarëve Violeta Rugova, Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, vlera e kontestit është 100 mijë euro.
“Të bindur se vendimet dhe veprimet e trupit gjykues në çështjen penale kundër z. Shaban Gogaj, që nga rihapja e shqyrtimit gjyqësor e deri më datën 25 nëntor 2021, ishin jo vetëm arbitrare, të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese, por edhe skajshmërisht të rrezikshme për sigurinë juridike, e për të cilat gjyqtarët nuk mbrohen nga imuniteti funksional, në cilësi të përfaqësuesit të z. Gogajt dhe prindit të tij, me datën 26 nëntor 2021, pranë Gjykatës Themelore në Pejë, kemi deponuar padi për kompensimin e dëmit jo material”, ka njoftuar Berisha.
Vrasja e të riut Agonis Tetaj në vendin e punës kapi vëmendjen e opinionit, për shkak se dy ditë para se Gjykata Themelore në Pejë ta shpallë aktgjykimin ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, pamje të rënda u publikuan nga babai i të ndjerit.
E kjo vepër ishte cilësuar si vrasje nga pakujdesia, për çka pas këtyre pamjeve u përjashtua prokurori dhe lënda iu caktua Prokurorisë së Gjilanit, që po e mbron rastin në Pejë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se acarohet.
Më tutje thuhet se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit.
Sipas aktakuzës, Gogaj, pasi përfundon bisedën në telefon, nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.
Në këtë rast i akuzuar është edhe Isuf Cacaj, i cili ngarkohet me armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq Gjykata në Pejë e ka përjashtuar nga rasti avokatin Berisha, por se gjykimi ka mbetur i bllokuar sepse Oda e Avokatëve po refuzon të caktojë avokat të ri për Gogajn./Gazeta “Enigma”/