Java e 18 në BKT Superligë, apo e fundit për stinorin vjeshtor nis të shtunën me tri ndeshje që janë në program.
Padyshim që ndeshja kryesore e ditës së shtune do të zhvillohet në Lipjan, ku Llapi është nikoqir i Prishtinës.
Dy skuadrat rajonale kanë mbetur mbrapa treshes së parë dhe duan fitore në mënyrë që të qëndrojnë në garë për titullin e kampionit.
Ky takim pritet të jetë shumë interesant edhe për faktin se rivaliteti mes dy klubeve është shumë i madh.
Interesant pritet të jetë edhe në Gjilan, ku Drita është nikoqire e Ulpianës.
Gjilanasit pas dy fitoreve radhazi duan edhe të tretën që të dimërojnë më të qetë, derisa lipjanasit synojnë t’i befasojnë përsëri si në ndeshjen e parë kur i ndalën në barazim.
Takimi tjetër i ditës së sotme do të zhvillohet në Drenas, ku mes vete takohen skuadrat rajonale Feronikeli e Drenica.
Dy ekipet po kalojnë nëpër një krizë të rezultateve dhe duan fitore në xhiron e fundit të stinorit vjeshtor.
BKT Superliga e Kosovës – Xhiro e 18-të
E shtunë
13:00 Llapi – Prishtina
13:00 Drita – Ulpiana
13:00 Feronikeli – Drenica /Gazeta “Enigma”/