Ndonëse në qëndrime të kundërta u paraqitën mbrëmë në dy studio të ndryshme televizive, kryetari i partisë, Memli Krasniqi, dhe anëtari i kryesisë, Enver Hoxhaj, në raport me një koalicion të mundshëm me VV-në, shkruan Gazeta Enigma.
Ndërsa Krasniqi tha se PDK-ja “nuk bën koalicion me VV-në”, ndryshe u deklarua Hoxhaj.
“Nëse unë do të duhej të votoja diçka të tillë si deputet, natyrisht që do të votoja dhe do ta mbështesja. Natyrisht, jo vetëm një koalicion për krizën… por një koalicion edhe si rezultat i një llogaritjeje matematikore, varësisht se çfarë do të adresohej”, ka deklaruar ai.
Lidhur me pyetjen nëse ka apo jo përçarje brenda partisë, është deklaruar ish-deputeti Xhavit Haliti për Gazetën Enigma.
“Nuk kisha me thënë se ka përçarje, por në politikë gjithmonë ka garë, ka tendenca, dëshira,” tha ai.
“Ne e kemi një qëndrim, ose më mirë të themi një qëndrim të përcaktuar në raportin kryesor të konventës, i cili është miratuar. Konventa ka pasur një qëndrim tjetër, kështu që mendimet janë të lira për secilin, dhe e konsideroj si një mendim të lirë ose një sugjerim që ka mundur ta japë Hoxhaj sipas asaj që ka thënë,” u shpreh Haliti për Enigmën.
“Kur hyn në politikë, duhet të kesh parasysh që secili ka qëllimet dhe interesat e veta, dhe nëse ka garë apo mospajtime, ato janë krejtësisht të ligjshme dhe normale.”
Edhe vetë Haliti ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimi i partisë në raport me VV-në.
“Nuk ka më parti ‘Enver, jemi gati kurdoherë’. Mendimi i lirë është i lirë, qëndrimet e partisë janë ato që janë, por nuk do të thotë që ato janë të thëna njëherë e përgjithmonë. Nëse duhet të ndryshojmë qëndrim në politikë, këto ndodhin sipas interesave të vendit dhe të partisë,” shtoi më tej ai. /Gazeta Enigma