Pas një sërë ngjarjesh e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, e shumë përplasjeve në distancë, më në fund u bë e ditur se do të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, më 14 shtator në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta “Enigma”.
Takimin mes dy palëve e ka konfirmuar kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, dhe i dërguari special i BE-së, Mirsolav Lajçak.
Javën e shkuar Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me udhëheqësin e Kosovës dhe atë të Serbisë.
Ku deklaroi se në këto takime u kishte kujtuar dy palëve se “gjitha marrëveshjet e dialogut janë valide dhe se ato duhen zbatuar plotësisht dhe pa vonesa”.
“Në Bled, unë kisha takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne biseduam për përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, me përqendrim te normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së BE-së të 3 qershorit. Po ashtu kam ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës”, ka thënë Lajçak.
Nga Bledi, Lajçak udhëtoi për në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kemi biseduar në detaje për përpjekjet për ulje të tensioneve dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ua kam kujtuar të dy liderëve se të gjitha marrëveshjet e dialogut mbesin valide dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet zbatuar plotësisht dhe pa kushte apo vonesa”, shkroi Lajçak, pas takimit me Vuçiq.
Borrell lajmin se do kur do të mbahet takimi mes dy liderëve e shpalosi në Spanjë.
Diplomati evropian ka njoftuar se bashkë me Presidencën Spanjolle të BE-së synojnë një takim të ministrave të shteteve anëtare të BE-së me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor për ta analizuar situatën në rajon.
“Më 14 shtator do të mbaj takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si lehtësues, për të kërkuar zgjidhje. Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor. Do të mbetet proçes i zbatuar në meritat individuale. BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim”, ka thënë Borrell.
Cilat janë pritshmëritë e opozitës nga ky takim?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, deklaroi se mënyra e vetme që vendi ynë të triumfoj në këtë proces është koordinimi me ndërkombëtarët.
“Para çdo takimi, në çdo takim e pas çdo takimi, uroj që kryeministri Kurti të jetë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, ngase kjo është mënyra e vetme që vendi ynë me të drejtë ta bëj realitet triumfin edhe në këtë proces”, u shpreh Çuni në një përgjigje për “Enigmën”.
A mund të ketë sinjale pozitive nga ky takim rreth normalizimit të mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?
Ndërkaq, njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, tha se në këtë takim do të diskutohet edhe çështja e zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë takim pikë diskutimi do jetë edhe çështja e zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, një tematikë tani më e koncentruar pas agresionit rus në Ukrainë, si dhe më eksplicitja në rajon, ajo e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ku me dhjetëra marrëveshje kanë ngelur të parealizuara dhe kohë pas kohe janë aktivizuar tensionet mes tyre“, potencoi Shabani për “Enigmën.
Shabani theksoi se kohëve të fundit normalizimi i marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është përkrahur shumë edhe nga Britania e Madhe.
“Kohës së fundit çështja e normalizimit dhr shtensionimit mes Kosovës dhe Serbisë ka gjetur përkrahje edhe nga Britania e Madhe dhe nga Forumi Strategjik në Bled i cili u realizua pak ditë më parë, ku theksohej se targeti i anëtarësimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor të jetë viti 2030“, tha ai.
Sipas tij, për Aneksin e zbatimit të dy palët u dakorduan dhe se kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e çështjve mes dy vendeve, por që këtë plan e stopuan tensionet në veri të Kosovës.
“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Porse ngeli në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit“, përfundoi Shabani.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian kërkon hapa të tjerë nga Kosova për shtensionimin e situatës
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, për herë të fundit janë takuar katër muaj më parë, më 2 maj, vetëm pak kohë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga serbët lokal. Në muajin qershor, Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve me kërkesë të qartë; pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja. Në këtë rrethanë të re, qeveria kërkon që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën, sipas BE, në “mungesë të koordinimit dhe sjellje jo evropiane lidhur me zhvillimet në veri. Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri, janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por, nevojiten hapa të tjerë për të zbutur krizën në veri me zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen sa më shpejt./GAZETAENIGMA/