A po përqahet LDK-ja me largimin e Bislimit, flet Lutfi Haziri për Enigmën

A po përqahet LDK-ja me largimin e Bislimit, flet Lutfi Haziri për Enigmën


Të mërkurën, në ditën kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shpalli zgjedhjet e brendshme, një figurë e rëndësishme u largua nga kjo parti, shkruan Gazeta Enigma.

Ish deputeti i kësaj partie, i cili së fundmi ishte anëtar i kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi përmes një letre akuzoi partinë se nuk i dha hapësirën e nevojshme në struktura të saj.

Një nga arsyet e dorëheqjes nga kryesia e LDK-së, sipas tij, është përpjekja perfide për të forcuar pozitën personale dhe jo të partisë.

Përmes një njoftimi për media, Bislimi ka shtuar se nuk do t’i ndahet LDK-së dhe se ‘rugovizmi’ është fanari tij.

“Në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit”, tha ndër të tjera Bislimi.

I pyetur për largimin e Bislimit, ish kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri për Enigmën mohoi kategorikisht se largimi i tij nënkupton përqarje brenda partisë.  

“Nuk kemi të bëjmë më asgjë tjetër pos ditën e zgjedhjeve ka ardhur një dorëheqje dhe këtu mbyllet gjithë procesi. Fatoni i ka dhënë qëndrimet e veta dhe asgjë më shumë”, tha shkurt ai.

Ndërkohë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi e pyetur nga Gazeta Engima për largimin e Bislimit, tha se nuk ka koment.

Në anën tjetër, kreu i partisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së djeshme e komentoi dorëheqjen e Bislimit, duke thënë që “nuk kishte mospajtime”.

“Sot, kryesia e LDK-së pa asnjë votë kundër ka miratuar parimet (e zgjedhjeve). Dorëheqjet në ditën kur shpallen zgjedhjet janë të pakuptimta sepse kryesia është në dorëheqje e sipër”, tha ai.
“Nuk e kam parë deklaratën, dhe fakt është që kryesia e LDK-së nuk e ka parë z. Bislimi qe një vit e gjysmë dhe s’di se si ta komentoj,” – vazhdoi tutje kur u pyet për këtë çështje ai. / Gazeta Enigma.

Related Articles