A po rrezikohet mbajtja e mësimit në prani fizike për shkak të infektimit të madh të nxënësve me COVID-19?

A po rrezikohet mbajtja e mësimit në prani fizike për shkak të infektimit të madh të nxënësve me COVID-19?

Shifrat e të infektuarave me COVID-19 në Kosovë vazhdojnë të jenë të frikshme në ditët e fundit me variantin ‘Omicron’. Ky variant i ri i këtij virusi i ka cak moshat e reja duke mos i kursyer as fëmijët.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë sot ka njoftuar se në 24 orët e fundit nga 13.928 testime, 3.617 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, prej tyre 913 fëmijë nga mosha 0-19 vjeç. Po ashtu janë regjistruar katër vdekje, 1344 të shëruar dhe mbi 31 mijë raste aktive.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë dhënë 4 mijë e 316 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një bisedë për Gazetën ‘Enigma’ ka treguar se kanë bërë thirrje që mbajtja e mësimit nëpër shkolla të bëhet në platformën online, gjë e cila nuk ka ndodhur tani.

“Ne edhe më parë kemi bërë thirrje që shkollat të kalojnë në platformën online, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Këtë apel e kemi bërë duke parë si ka shkuar përhapja e Omicron në shtetet tjera dhe moshat që ka prekur ky virus”, ka treguar infektologu Hamdi Ramadani.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani

Ramadani thotë se shkencëtarët kanë parashikuar që varianti ‘Omicron’ mund të shfaqet në formë agresive për moshat nën 12 vjeç.

“Me paraqitjen e valës së re “Omicron” shumë shkencëtarë kanë paraparë që mundë të shfaqet edhe një formë më agresive, që mundë të prek edhe moshat më të vogla se 12 vjeç, dhe kjo grup moshë të futet në programin e vaksinimit dhe imunizimit”, thotë ai.

Sipas Ramadanit të gjithë fëmijët nga mosha 5 vjeçare e më lartë janë më të rrezikuar nga varianti i ‘omicronit’.

 “sepse është shumë ngjitës, dhe ka 32 mutacione sipas mjekëve gjerman, fëmijët i sulmon pa vështirësi të gjitha moshat por mosha nga 5 vjeç e lart janë më rrezikuarit”, vlerëson ai.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku – Bërdyna në një konferencë për media ka bërë të ditur se mbi 1,400 mësimdhënës dhe mbi 6 mijë nxënës janë të infektuar me COVID-19 në gjithë Kosovën.

“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës sipas të dhënave që ka dërguar drejtoritë komunale me COVID-19 kanë gjithsej 1,489 mësimdhënës. Nga 298 mijë e 29 nxënës, aktiv me COVID-19 janë 6 mijë e 687”, ka thënë ajo.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku

Ajo ka shpjeguar edhe skenarët nëpër të cilat po kalojnë shkollat gjatë këtyre ditëve në vendin tone.

“Sipas skenarit A në total janë shtatë shkolla, në skenarin B që kombinon prezencën fizike dhe atë online i kemi pesë shkolla, ndërsa skenari C ose kalimi në mësimdhënie online është gjithsej 90 shkolla”, tha ajo.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se gjendja me COVID-19 mund të përkeqësohet edhe më shumë në ditët në vazhdim.

“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Na ndihmoni që të ju ndihmojmë!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Mikrobiologu, Lul Raka, ka dhënë detaje rreth variantit ‘Omicron’, ku sipas tij virusi po lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

 “Infeksionet me Omicron kanë pasqyrë më të lehtë klinike, pasi që virusi lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Inkubacioni mesatar është shkurtuar në 3 ditë”, ka shkruar Raka.

Mikrobiologu, Lul Raka

Sipas OBSH-së, vaksinimi i fëmijëve kundër koronavirusit është i domosdoshëm në luftën kundër pandemisë. Vaksinat, sipas studimeve, ndikojnë në rritjen e imunitetit ndaj virusit dhe evitimin e hospitalizimit dhe pasojave të rënda nga ky virus.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në disa vende të tjera është miratuar vaksinimi edhe i fëmijëve 5-11 vjeç.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve në SHBA (CDC), fëmijët kanë gjasa aq sa të rriturit për t’u infektuar me koronavirus. Ata po ashtu mund të sëmuren rëndë dhe të kenë pasoja afatshkurtra ose afatgjata.

“Fëmijët që infektohen me koronavirus mund të kenë gjithashtu komplikime serioze, si sindroma inflamatore e shumë sistemeve (MIS-C) – një gjendje ku pjesë të ndryshme të trupit inflamohen, duke përfshirë zemrën, mushkëritë, veshkat, trurin, lëkurën, sytë ose organet gastrointestinale”, thotë CDC-ja./Gazeta Enigma/

Related Articles