A pritet të ketë reduktime të ujit gjatë verës, kompanitë e ujësjellësit japin detaje për “Enigmën”

A pritet të ketë reduktime të ujit gjatë verës, kompanitë e ujësjellësit japin detaje për “Enigmën”

Temperaturat e nxehta nuk do të ndikojnë në reduktime të ujit nëse qytetarët e shfrytëzojnë racionalisht atë, vlerësojnë nga KRU “Prishtina” për Gazetën “Enigma”.

Gazmend Behluli, menaxheri në kabinetin e kryeshefit në KRU “Prishtina”, tutje ka njoftuar se uji është i sigurt për pije sipas kontrollit operacional, ku i nënshtrohet disa proceseve të përpunimit të ujit.

“Uji i ujësjellësit është i sigurt për pije pasi qe përpunohet dhe pastrohet sipas kontrollit operacional qe i nënshtrohet disa proceseve të përpunimit të ujit: Ajrimit , para oksidimi , koagulimi, flokulimi dhe dezinfektimi! Gjithë ky proces me analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike”, deklaroi Behluli.

Edhe nga KRU “Hidromorava” kanë deklaruar se uji është i sigurt për pije, pasi që është në monitorim të vazhdueshëm ditor.

“Uji nga rrjeti shpërndarës i ujësjellësit është i sigurt për pije, pasi që është në monitorim të vazhdueshëm ditor. Ekipi i laborantëve të akredituar në baza ditore kryejnë analiza kimiko-bakterologjike dhe në rast të ndryshimit të ndonjë parametri ndërmerr masa dhe njoftojmë konsumatorët”, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Po ashtu analiza të rregullta kimiko-bakterologjike kryen edhe Instituti Regjional i Shëndeti Publik në Gjilan (IRSHP). Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me IRSHP dhe bëjmë përcjellën e vazhdueshme të rezultateve të analizave nga mostrat e mara”, deklaruan nga Hidromorava për “Enigmën”.

Nuk pritet të ketë reduktime të ujit gjatë verës

Buhluli ka KRU “Prishtina” ka deklaruar se “reduktime të ujit nuk ka dhe sipas planeve operative nuk do të ketë. Ndalje të ujit ka vetëm në rastet e defekteve teknike, ku dhe ne bëjmë lajmërime në baza ditore në cilat rrugë do të ketë punime”.

Sipas tij Liqeni i Batllavës është 0.60m nën pikën maksimale, ndërsa Liqeni i Badovcit 0.40 metra nën pikën maksimale.

“Ujë ka mjaftueshëm ku Liqeni i Batllavës është 0.60m nën pikën maksimale, ndërsa Liqeni i Badovci 0.40m nën pikën maksimale, mirëpo probleme kemi te konsumatorët të cilët nuk e shfrytëzojnë ujin në mënyrë racionale dhe për këtë shkak kemi mungesë të ujit nganjëherë në zona të larta në qytet”, deklaroi Behluli për “Enigmën”.

Nga Hidromorava kanë deklaruar se në qytetin e Gjilanit tani për tani nuk pritet të ketë reduktime të ujit. Por sipas tyre me ardhjen e mërgimtarëve rriten kërkesat, prandaj lusim konsumatorët që të kursejnë ujin.

“Momentalisht gjendja me furnizim është shumë stabile. Niveli i Liqenit akumulues në Përlepnicë është afro maksimales. Në rast të thatësisë burimet e ujit nëpër zonat rurale mund të ndikohen nga mungesa e reshjeve dhe në ato vendbanime mund të ketë vështirësi, mirëpo për momentin gjendja është e kënaqshme”, thuhet përgjigjen e tyre.

“Nuk kemi planifikuar reduktime, por që me ardhjen e bashkatdhetarëve dhe ngritjen e temperaturave kërkesa do të jetë e madhe për ujë, prandaj lusim konsumatorët që të kursejnë ujin dhe ta shfrytëzojnë racionalisht” deklaruan nga Hidromorava për “Enigmën”.

Si KRU “Prishtina” po ashtu edhe Hidromorava janë duke u përballur me borxhet e konsumatorëve

Borxhet e konsumatorëve ndaj KRU Prishtina janë rreth 45 milion, ku vetëm në amvisëri janë 37.5 milion dhe biznese 7.1 milion.

Behluli ka shtuar se “aksionet për shkyçje janë në vazhdimësi në të gjitha zonat e shërbimit dhe nuk do të ndalën, deri sa konsumatorët ti kryejnë të gjitha obligimet ndaj KRU “Prishtina”.

“Po ashtu i njoftojmë të gjithë konsumatorët të cilët bëjnë lidhje ilegale në rrjetin e KRU Prishtina, ata do të shkyçen dhe andaj tyre do të merren masa ligjore sipas ligjeve në fuqi ku vjedhja e ujit është vepër penale dhe dënohet me burgim deri në 3 vite”, tha Behluli për “Enigmën”.

Ndërsa nga Hidromorava nuk kanë dhënë shifra për borxhet e konsumatorëve.

“Me kryerjen e pagesave dhe shlyerjen e obligimeve konsumatorët ndihmojnë Kompaninë në qëndrueshmërinë e saj financiare, por edhe i mundësojnë të kryej investime kapitale në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në mënyrë që të ofrojmë shërbime më cilësore”.

“Në jemi mirënjohës për gjithë konsumatorët e ndërgjegjshëm dhe të rregullt me pagesa, kurse për konsumatorët e papërgjegjshëm jemi duke operuar me ekip të shkyçjes dhe do t’i ndërpremë nga rrjeti i ujësjellësit, dhe lëndët do t’i procedojmë te Përmbaruesi Privat. Kjo pa dyshim që do të ketë kosto shtesë për konsumatorin, mirëpo na mbetet e vetmja zgjidhje” deklarojnë nga Hidromorava. /Gazeta Enigma/

Related Articles