Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi, sot është intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me deklaratat që ai ka bërë për rastin e Astrit Deharit.
Abazi ka refuzuar të japë detaje se për çka është pyetur nga prokurori, derisa përdori edhe një fjali – “kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet circus” – por nuk tregoi se kush është palaçoja.
“Ashtu sic kam marr ftesë nga prokuroria, unë i jam përgjigjur. Prokuroria ka shtruar pyetjet e veta, ka qenë jashtëzakonisht korrekt në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët e tjera janë absolutisht pjesë e Prokurorisë, ashtu siç e kam bërë deklaratën në hollin e Kuvendit. Është çështje e prokurorisë të merret me këtë cështje dhe të realizojë drejtësinë”.
“Nuk flas fare, smund të jap info më shumë se janë çështje të hetuesisë dhe prokurorisë. Por ajo që them unë, si deputet dhe qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohen e drejta e fjalës dhe shërbimi në interes të publikut, nuk do të ndalem, që pavarësisht limiteve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale. Pjesa tjetër është politike, normal mund ta kuptoni që presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme, por ajo që duhet të them është që shkarkimi im si kryetar komisioni vie për shkak të guximit tim që të çelë tema e të shtrojë pyetje kritike për shoqërinë tonë. Por ajo që duhet të kuptoni gjithashtu, është që kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”, tha ai.
“Ne kemi bërë gjithë punën tonë për ndryshimin e madh në këtë vend, që të vie drejtësia në vend dhe zhvillimi të bëhet bazuar në kohezionin shoqëror. Kjo që po ndodh tani, përfshirë edhe shkarkimin me urdhër nga z. Kurti është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në Parlamentin e Kosovës. Unë nuk kam heshtur në të kaluarën time, nuk do të hesht as tani, do ta kryej punën time si deputet dhe si qytetar aktiv”, ka thënë ai në fund.