Ademi: Futbolli i Kosovës ka bërë progres të jashtëzakonshëm në një periudhë të shkurtër

Ademi: Futbolli i Kosovës ka bërë progres të jashtëzakonshëm në një periudhë të shkurtër

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar progresin e futbollit kosovar që nga periudha e pasluftës e deri te anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, duke theksuar se zhvillimi i tij në një periudhë relativisht të shkurtër ka qenë i jashtëzakonshëm.

Në një intervistë për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Ademi ka folur për rrugëtimin e futbollit të Kosovës, nga vitet e vështira pas luftës, deri te konsolidimi në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, futbolli kosovar është përballur me sfida të mëdha, veçanërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mospranimit ndërkombëtar.

“Futbolli i Kosovës vërtet ka pasur sfida të mëdha, sepse ne e dimë, kemi pasur edhe si popull edhe si shtet sfida të mëdha. Kemi dalë nga luftërat, nga represionet dhe e kemi gjetur futbollin me një infrastrukturë të shkatërruar pothuajse”, ka thënë Ademi.

Ai ka përmendur edhe kontributin e njerëzve që e mbajtën gjallë futbollin kosovar në periudhën kur Kosova nuk ishte pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s.

Ademi ka veçuar periudha dhe figura të ndryshme të futbollit kosovar, duke përmendur Agim Bytyqin, Rexhep Abdullahun, Sabri Hashanin dhe Fadil Vokrrin, si pjesë të rrugëtimit drejt ndërkombëtarizimit.

“Do t’i falënderoja të gjithë ata që kanë qenë që nga veçimi, nga ajo periudhë ku e ka udhëhequr Agim Bytyqi me komitetin e parë, e deri në fund, deri te pranimi. Të gjithë ata, sepse futbolli është mbajtur si mision në atë kohë nga njerëz të cilët e kanë dashur futbollin dhe nga biznesmenë të cilët kanë kontribuar”, është shprehur ai.

Presidenti i FFK-së ka kujtuar edhe mënyrën se si organizohej futbolli në periudhën para luftës, kur mungonin kushtet bazë, por jo vullneti për ta mbajtur gjallë këtë sport.

Ai tha se organizimi i garave, rezultatet dhe aktivitetet e futbollit, pavarësisht kushteve të vështira, ndihmuan në ruajtjen e strukturës së futbollit kosovar deri në momentin e pranimit në UEFA dhe FIFA.

“Besoni që enorm shpejt jemi zhvilluar edhe mirë. Realisht, e keni parë edhe vetë sa përkrahje na kanë dhënë UEFA dhe FIFA dhe sa me mirënjohje na kanë dhënë për faktin që kemi punuar”, ka deklaruar Ademi.

Ai theksoi se progresi nuk është rezultat vetëm i punës së drejtuesve të FFK-së, por i të gjithë njerëzve që janë pjesë e futbollit, nga administrata dhe komisionet, te klubet, trajnerët dhe futbollistët.

“Futbolli nuk udhëhiqet vetë. Dikush është në krye dhe struktura duhet të jetë, hierarkia duhet të jetë, por gjithsesi punën kryesore te ne e bëjnë njerëzit e futbollit që janë brenda futbollit, brenda federatës, brenda sektorëve të ndryshëm dhe jashtë saj”, ka thënë ai.

Ademi ka veçuar edhe avancimin profesional të stafit të FFK-së, duke përmendur pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve kosovarë në akademitë dhe komisionet e UEFA-s e FIFA-s, si dhe rritjen e numrit të referëve dhe delegatëve kosovarë në garat ndërkombëtare.

Në fund, ai ka vlerësuar veçanërisht rolin e klubeve dhe njerëzve që i mbështesin ato, duke theksuar se zhvillimi i futbollit materializohet në fushë përmes punës së futbollistëve.

“Duhet t’i falënderojmë fillimisht klubet, njerëzit të cilët i mbajnë klubet, sepse gjithçka që bëhet në futboll, në organizim administrativ, bëhet për të dalë në fushë. Fushën e bëjnë futbollistët dhe ata që i mbajnë futbollistët, që janë klubet, kryetarët e klubeve, donatorët e klubeve dhe vetë futbollistët”, ka theksuar Ademi.

Ai u shpreh i kënaqur me pozitën që ka arritur futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke veçuar sidomos përparimin e kombëtares dhe ligës kosovare.

“Jam shumë i lumtur se në çfarë rangimi jemi edhe si kombëtare, por sidomos si ligë”, ka përfunduar presidenti i FFK-së.

Related Articles