Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me sulmin që u bëri mediave nga New York, duke e dënuar ashpër, shkruan Enigma.
Kurti ka drejtuar akuza ndaj mediave duke thënë se paguhen nga regjimet e kaluara.
AGK ka thënë se e sheh me shumë shqetësim një përpjekte të tillë për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë, “pa asnjë fakt dhe argument”.
“Në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari. Problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon kryeministri Kurti, nuk bëhet në asjnë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave, si një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë në vend”, thuhet në reagim.