Aktgjykimi i trupit gjykues në çështjen gjyqësore Pjetër Shala shpallet më 16 korrik 2024

Aktgjykimi i trupit gjykues në çështjen gjyqësore Pjetër Shala shpallet më 16 korrik 2024

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës, më 16 korrik, në orën 14:00, raporton Gazeta “Enigma”.

Sipas këtij njoftimi seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në shqip, anglisht dhe serbisht përmes faqes së internetit të DHSK-së me 10 minuta vonesë ose nga galeria publike në mjediset e gjykatës.

Përmbledhje e aktakuzës

Në këtë çështje gjyqësore, Prokurori pretendon se përafërsisht mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e
metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë.

Sipas Aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.

Në Aktakuzë thuhet se të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje ose dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar nën
shtrëngim.

Në Aktakuzë pretendohet se Pjetër Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat.

Historiku i çështjes

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën fillestare kundër Pjetër Shalës më 12 qershor 2020. Z. Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Gjatë fazës paraprake, u nxorën prova, u dhanë vendime lidhur me mocionet paraprake dhe u pranuan tetë viktima për të marrë pjesë në proces, të përfaqësuar nga Mbrojtësi i Viktimave. /Gazeta Enigma/

Related Articles