Alarmante: Shifra të larta të gripit sezonal që prej fillimit të 2024-tës në Kosovë

Alarmante: Shifra të larta të gripit sezonal që prej fillimit të 2024-tës në Kosovë

Kemi hyrë në muajin e katërt që Kosova është duke u përballur me gripin sezonal. Sikur të ishte vetëm kjo, gjatë këtyre katër muajve në Kosovë ka pasur edhe raste pozitive me COVID-19, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se në këtë komunë gjatë këtyre ditëve me fluks të madh të infektuarve me gripin sezonal ndërsa në fillim të këtij viti edhe me COVID-19.

“Në janar ne jemi përballuar me një numër të madh të të prekurve me gripin sezonal, kemi pasur 1109 me grip sezonal që kanë kërkuar ndihmë në QKMF dhe 7 raste me COVID-19”, tha ai.

Tutje ai ka shtuar se “në shkurt të këtij viti kemi pasur 580 raste me grip sezonal, dhe asnjë rast ve COVID-19. E në këtë muaj deri më tani i kemi 127 raste me grip sezonal”, tha Kamberi për “Enigmën”.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me Fevzi Sylejmanin, drejtor i QKMF-së në Mitrovicë, i cili ka njoftuar se në muajin mars 563 janë me grip sezonal në këtë komunë.

“Ndërsa për rastet me COVID-19 nuk kemi pasur asnjë të konfirmuar”, tha ai.

“Në janar të këtij viti në Komunën e Mitrovicës 1057 persona kanë qenë të prekur me grip sezonal”, deklaroi ai.

Tutje Sylejmani ka shtuar se pas janarit ka pasur një rënie të të prekurve me gripin sezonal në Komunën e Mitrovicës.

“Në shkurt 737 persona kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Mitrovicë, ndërsa në këtë muaj deri më tani kemi 563 raste me grip sezonal”, tha Sylejmani për “Enigmën”.

Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me Ismet Bogiqin, drejtor i QKMF-së në Drenas, i cili ka njoftuar se në janar dhe shkurt të këtij viti afër 1000 persona kanë qenë të prekur me gripin senal.

“Në bazë të të dhënave nga përgjegjësi i SISH-it në muajin janar dhe shkurt janë raportuar 969 raste me grip sezonal në Komunën e Drenasit”, tha Bogiqi për “Enigmën”.

Kamberi ka dhënë detaje edhe për simptomat e gripit sezonal.

“Simptomat për gripin sezonal janë: temperaturë, ethe, kokë-dhimbje, dhimbje fyti dhe trupit, lodhje, plogështi, humbje oreksi”, tha Kamberi.

Sipas tij ky grip ka prekur të gjitha grup-moshat.

“Kemi pacientë të të gjitha moshave që janë atakuar nga gripi”, ka përfunduar Kamberi. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles