Alban Hyseni tregon për Gazetën Enigma pse kanë ngecur punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan

Alban Hyseni tregon për Gazetën Enigma pse kanë ngecur punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan

Stadiumi i qytetit të Gjilanit, të cilin e shfrytëzojnë ekipit e futbollit SC Gjilani dhe FC Drita, parashihet të përfundohet në vitin 2023 dhe do t’i përkasë kategorisë së katërt për futboll.

Sezoni pranveror nuk ka nisur mirë për SC Gjilanin dhe FC Dritën, pasi po detyrohen që disa ndeshje kampionale dhe në Kupën e Kosovës t’i luajnë në stadiumin ndihmës me bari sintetik, pasi punimet në stadiumin e qytetit kanë ngecur dhe fusha nuk është në gjendje optimale për të zhvilluar lojëra.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni në një përgjigje për Gazetën Enigma ka konfirmuar ngecjet e punimeve në stadiumin e qytetit e që janë detyruar të gjejnë zgjidhje për lojëra në stadiumin ndihmës.

“Gjilanit duhet t’i rikthehet dinjiteti edhe në sport. Projekti i stadiumit, pas diskutimeve publike me klubet sportive, gjendet në fazë të projektimit të vazhdimësisë së projektit dhe kontratës ekzistuese. Në ndërkohë, paralelisht, kemi punuar për realizimin e ndryshimeve të nevojshme për një stadium ndihmës për ekipet tona dhe për tifozeritë e ekipeve të Gjilanit”, ka thënë i pari i Komunës së Gjilanit.

Gjendja e stadiumit të qytetit në Gjilan

Hyseni tregon se janë duke pritur një dosje nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, për ta bërë një interpretim për kontratën që ka qenë duke u zbatuar nga punëkryesi.

“Sa i përket Stadiumit të Qytetit, tash jemi duke e përgatitur një dosje nga KRPP,  një lloj interpretimi lidhur me kontratën që ka qenë duke u zbatuar deri më tani nga punëkryesi”, tregon Alban Hyseni.

I pari i Komunës së Gjilanit, zbulon se ka tejkalim enorm të pozicioneve brenda kontratës. Ai ka treguar se qysh se kanë qenë të kontraktuara vetëm 100 mijë euro për punë të dheut e janë rezliuar mbi 1 milionë, që i bie një milion euro më shumë.

“Prej asaj që kemi parë ne, prej asaj analize të detajuar, ka tejkalim enorm të pozicioneve brenda kontratës. Për shembull, për punë të dheut, kanë qenë të kontraktuara pak mbi 100 mijë euro, ndërkaq ka qenë e realizuar gati 1 milion. Ka edhe tejkalime të tjera të pozicioneve të ndryshme”, tregon kryetari i Gjilanit.

Hyseni potencon se punimet kanë ngecur në stadiumin e qytetit për shkak të mungesës së projektit.

“Pra, siç e kemi thënë publikisht, nuk ka projekt detal final ende. Pra, punimet që kanë ngecur deri tani janë për shkak të mungesës së projektit”, tregon ai.

Për ta ditur se deri ku ka arritur projekti deri tani e për ta pasur një ide të qartë për ta ndërtuar projektin përfundimtar, këtë gjë do ta tregojnë nga Universiteti i Prishtinës më saktësisht nga Fakulteti i Ndërtimtarisë.

“Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës me Fakultetin e Ndërtimtarisë, do të dalë në terren për ta bërë një incizim të gjendjes, për ta parë se deri ku ka arritur projekti deri më tani, në mënyrë që të kemi një bazë mbi të cilën do të mund të ndërtohej projekti përfundimtar”, tregon Alban Hyseni.

“Pas interpretimit nga KRPP lidhur me atë se a duhet të zbatojmë kontratën aktuale apo duhet ta ndërpresim, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për fillimin sa më të shpejt të projektit”., thotë ai.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por deri tani (18 mars) nuk ka marr përgjigje për këtë çështje./GAZETA ENIGMA/

Related Articles