Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës – ëndërr apo realitet?

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës – ëndërr apo realitet?

Një shpresë në fund të tunelit për rrugën euroatlantike të Kosovës, është shfaqur pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Me zhdukjen e ndikimit rus në këtë institucion, po shihet si gjasë reale anëtarësimi i Kosovës në këtë Këshill.  Nga ekzekutivi tashmë janë deklaruar se janë duke punuar për aplikim në Këshill të Evropës, por ende nuk është vendosur se kur do të ndodhë.

Kurse njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen optimist për këtë proces, teksa përfaqësuesit opozitar hezitojnë t’i japin shpresë rrugës së Kosovës drejt KE-së.

Dështimet e Kosovës në Politikën e jashtme, sipas Isa Mustafës


Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vlerëson se me përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, është i drejtë vendimi për të aplikuar në Këshill të Evropës.

Por përkundër kësaj, ai e sheh si të largët rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Ish kreu i LDK-së, Isa Mustafa

“Aplikimi në Këshillin e Evropës në këtë rrethana të mungesës së ndikimit rus, është veprim i drejtë. Sa i përket BE-së, kishte deklarata nga përfaqësues të ndryshëm të vendeve të BE-së, se kjo kërkon kohë dhe plotësim të kritereve. Dihet se me kritereve jemi më larg se çdo vend i Ballkanit perëndimor. Prandaj do duhej të punohet në përmbushjen e kritereve e më pak të bëjmë politikë për veshët e popullit”, ka thënë Mustafa për Gazetën “Enigma”.

Ai madje ka thënë se Qeveria “Kurti”, ka dështuar në Politikën e jashtme.

“Për këtë kohë të qeverisjes nuk ka lëvizje në politikën e jashtme nga kjo Qeveri. S’ka njohje të reja, s’ka aplikime për njohje në organizata ndërkombëtare. Ka mospajtime me vendet e QUINTIT-it, kritika dhe vërejtje ndaj Bashkimit Evropian, por jo bashkëpunim”, theksoi ish kreu i LDK-së.

Ai tha se “Drejtuesit e Kosovës po mundohen t’i japin mend tërë botës, por vendin e vet nuk po duket se po dinë ta qeverisin”.

“Ëndërr e Kurtit”– opozita pesimiste

Deputetja nga subjekti opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj i ka thënë Gazetës “Enigma”, se beson se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, mbetet vetëm ‘ëndërr’ e ekzekutivit.

Sipas saj përderisa pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën do të jetë i vështirë aplikimi për anëtarësim në BE.

“Po shohim se s’kemi asnjë aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe tash edhe në Këshill të Evropës. Ndërsa ajo çka po prononcohet zotëri Kurti se do të aplikojë për anëtarësim në BE, është një ëndërr që po e sheh, pasi ne kemi pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe aty duhet një konsensus. Por paraprakisht për anëtarësim në BE-janë para anëtarësimi dhe harmonizimi i krejt legjislacionit me atë të BE-së. Për këtë arsye po shohim fjalë shumë, por veprime konkrete asnjë”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj

Ajo ka kritikuar ashpër formën se si Qeveria “Kurti” e ka përfaqësuar Kosovën në aspektin ndërkombëtar.

“Kjo qeveri e shpresës që ka ardhur me premtime të mëdha, dështimin më të madh e ka në politikën e jashtme. Ju e dini se qeveria Kurti ka thënë se do të ketë prioritet angazhimin në politikën e jashtme dhe ne po shohim se nuk angazhimin në minimumin e angazhimit. Kjo qeveri është karakterizuar me skandale të njëpasnjëshme në diplomaci”, theksoi Kadriaj.

Ndërkohë ndryshe nga përfaqësuesit e taborit opozitar, optimist është shprehur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Ai thotë se nëse ka lobim të duhur nga Kosova, procesi mund të përfundojë me sukses.

“I vetmi organ ndërkombëtar ku ne mund të anëtarësohemi shumë shpejtë dhe pa probleme ligjore është Këshilli i Evropës. Sa i përket procedurave është lehtë dhe shpejt, pasi më shumë është vendim politik i vendeve anëtare të Këshillit nëse ato e gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe ka një lobim të mirë nga ana e Kosovës, jo siç ka qenë më herët”, theksoi ai.

Krerët institucional të bindur se do t’i dalin në KE

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një vjetorin e punës së saj si presidente, deklaroi se janë duke punuar maksimalisht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës dhe në NATO. Por sipas saj anëtarësimi në NATO është më i komplikuar.

Njësoj sikurse Osmani, u shpreh edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti ditë më parë.

Ai tha se këtë vit do të aplikohet edhe për anëtarësim në BE, duke dhënë sinjale se anëtarësimi në KE do të jetë më i lehtë.

“Kosova është vend potencial për vendin kandidat dhe i është premtuar perspektiva e anëtarësimit në Bashkim Evropian. Prandaj ne jemi të përkushtuar të zbatojmë pjesën tonë të detyrimeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për të avancuar në fazën tjetër të anëtarësimit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s”, theksoi Kurti.

Dialogu – “statuja” në mes

Përkundër synimeve të krerëve institucional të Kosovës, shpresën për përparimin e Kosovës drejt organeve të BE-së e ka zbehur paksa deklarimi i Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ai ka thënë se për anëtarësimin e Kosovës në BE, hapi i parë është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij, Kosova para aplikimit duhet që të konsultohet me shtetet anëtare në mënyrë që të arrihet konsensus i përbashkët.

“Trajtimi është i njëjtë, por proceset janë në faza të ndryshme dhe Kosova është aty ku është, sepse ka filluar me vonesë. Normalisht që nuk është vetëm BE-ja, është përgjegjësia e Kosovës të përparojë në rrugëtimin drejt BE-së, të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, që është kushti i parë. Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në BE, hapi i parë është përmbyllja e suksesshme e dialogut për marrëveshje finale”, potencoi Szunyog.

Ai këshillon Kosovën për hapat që duhet bërë. “Këshilla ime para se të lëvizim është që duhet të këtë konsultim me shtetet anëtare. Duhet t’iu dërgohet ftesa për këtë dhe bëhet me konsensus të shteteve”, tha Tomas Szunyog, gjatë një debati të organizuar në lidhje me ndikimin e luftës së Ukrainës në Ballkan. / Gazeta Enigma.

Related Articles