Një person është arrestuar në Gjakovë për djegien e flamurit serb në Gjakovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila dje gjatë ditës ishte vënë në kërkim të autorëve të djegies së flamurit të Serbisë në palestrën “Shani Nushi” gjatë derbit të basketbollit ndërmjet Vëllaznimit dhe Trepçës.
“Me 25.10.2022 lidhur me rastin, pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Prokuroria këtë rast e ka cilësuar si nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit dhe kishte hapur rast dje.
Më pas, duke u bazuar në videon e publikuar në rrjetin social “Tik-Tok” është evidentuar edhe autori dhe është kapur nga Policia.
Tifozët gjakovarë dhuruan spektakël dhe atmosferë në fundjavë, por kjo ndeshje i kaloi kufijtë e sportit.
Krahas djegies së flamurit serb, tifozët Kuqezinj e shpalosën një parullë mbështetëse për Mitrovicën dhe e fishkëllyen dhe e kontestuar himnin shtetëror të Kosovës, duke e kënduar më pas himnin kombëtar shqiptar.
Për këto incidente, Federata e Basketbollit të Kosovës nuk është bërë ende e gjallë.