Policia e Kosovës ka arrestuar Bajram Muhaxherin në Ferizaj për tregti të ndaluar dhe kontrabandë mallrash, raporton Gazeta Enigma.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij janë gjetur mbi 160,000 euro, mjete të tjera financiare, dhe mallra të kontrabanduara si 696 kilogramë mjaltë dhe 250 kilogramë fasule.
Bajram Muhaxheri është vëllai i Lavdrim Muhaxherit, ish-pjesëtar i ISIS-it nga Kosova, i cili u vra në Siri.
Policia ka sekuestruar gjithashtu armë dhe një veturë gjatë aksionit.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe akuzohet për “tregti të ndaluar” dhe “kontrabandë mallrash”.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur:
161.485 euro (njëqind e gjashtëdhjetë e njëmijë e katërqind e tetëdhjetë e pesë euro),
2320 franga zvicerane (dymijë e treqind e njëzet franga zvicerane),
2300 dollar amerikan (dymijë e treqind dollar amerikan),
80.850 denar maqedonas (tetëdhjetëmijë e tetëqind e pesëdhjetë denar maqedonas),
696 kilogramë mjaltë (produkt i dyshimtë pa prejardhje),
250 kilogramë fasule (pa prejardhje)
Një pushkë e gjatë (pushkë ajrore)
Një revole,
Një veturë dhe
Një telefon.
Për rastin me mallin e kontrabandë (mjalti dhe fasulja), është ftuar për trajtim njësia e Doganës së Kosovës.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti, nën dyshim për përfshirje në veprat penale: ‘tregti e ndaluar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’.
Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me aktvendim nga prokurori kompetent, i dyshuari dërgohet në ndalim prej 48 orësh.