Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon me monitorimin e bizneseve për arka fiskale.
“Verifikimi i bizneseve nëse janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponit fiskal, ka vazhduar edhe ditën e diel, në qytetin e Prizrenit ku Administrata Tatimore e Kosovës u fokusua te tatimpaguesit të cilët nuk janë të pajisur me pajisje elektronike fiskale (PEF,) nuk lëshojnë kuponë fiskalë dhe ata tatimpagues që lëshojnë kuponë jo-fiskal. Po ashtu, veç kësaj janë monitoruar edhe punëtorët nëse janë të regjistruar”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
“Si rezultat i këtyre aktiviteteve në teren/qyteti Prizrenit janë vizituar 5 subjekte biznesore, tek të cilat është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara. Gjithsej, janë lëshuar 91 gjoba në vlerë 35,125 mijë euro, si dhe do të iniciohet rast penal. Këto aktivitete kanë evidentuar edhe 26 punëtorë të pa regjistruar”.
ATK-ja bëri thirrje që veprimtaritë dhe afaristët të pajisjen me pajisje elektronike fiskale / sistem fiskal në mënyrë që të lëshojnë kuponë fiskalë.
“Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskalë”.
“Theksojmë – disa nga veprimtaritë, si: tregti, prodhim, shërbim, shëndetësi, hoteleri, arsim, transport, artistike-zbavitëse, etj., nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK, u bënë thirrje që të pajisen me PEF/SF dhe të lëshojnë kuponë fiskalë”.