Bastisen disa lokacione në Prizren për kultivim të bimëve narkotike, arrestohen dy persona

Bastisen disa lokacione në Prizren për kultivim të bimëve narkotike, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se ka kryer kontroll në një shtëpi në Prizren mbi dyshimet se ndodhej një laborator për kultivim të bimëve narkotike të llojit “kanabis sativa”, raporton Gazeta Enigma.

Aty është arrestuar një i dyshuar, ndërsa Policia ka vazhduar edhe me bastisjen e tri lokacioneve të tjera në Prizren, ku është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.

Gjatë bastisjes në lokacionet janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme të dedikuara për kultivim të bimëve narkotike si (llampa për ndriçim, aparat për ngrohje, klima, trafo të ndryshme të rrymës, gypa ventilimi, pajisje për matje të lagështisë, temperaturës, vegla pune, vazo, preparate kimike dhe pajisje tjera).

Po ashtu janë sekuestruar edhe një bimë narkotike kanabis sativa rreth 30 cm, një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.19 gramë, gjethe, dyshohet të bimës kanabis sativa me peshë 53.84 gramë, dy qese plastike me substancë narkotike dyshohet kokainë me peshë 0.41 gramë, një aparat vakumi, qese plastike, armë zjarri (pistoletë) e çmontuar me dy fishekë, 27 fishekë kalibër i panjohur, një veturë, dhe një furgon me targa vendore.

“Të dyshuarit e lartcekur po ashtu dyshohet se kishin shkatërruar rreth 300 bimë të llojit kanabis sativa të mbjella në laborator brenda shtëpisë, me gjatësi rreth 20-30 cm, të cilat dyshohet se janë djegur”, thuhet në njoftim e PK-së.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.  

Related Articles