BE s’ndalet, e kërkon Asociacionin nga Kosova, por liberalizimi askund

BE s’ndalet, e kërkon Asociacionin nga Kosova, por liberalizimi askund

Bashkimi Evropian po vazhdon presionin kundrejt Kosovës për ta implementuar Asociacionin e komunave serbe, ndonëse palës serbe nuk i’u është vënë ende asnjë kusht. Ndërkohë të martën në një takim midis dyshes Kurti-Borrell, mediat raportuan për një tensionim të situatë kur u diskutua për Asociacionin, e cila siç u tha, ishte gati të eskalonte, shkruan Gazeta “Enigma”.

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se ky presion ndaj Kosovës është i padrejtë, duke e ditur se BE-ja tash e disa vjet ka hezituar t’i plotësoj premtimet e dhëna ndaj kosovarëve, veçanarisht heqjen e vizave, proces ky i cili ka stagnuar.

Bashkimi Evropian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit. Pra edhe Bashkimi Evropian po vepron njëjtë si Serbia, me gjuhën e diplomacisë që presionin e orienton tek pala e dobët”, kështu ka thënë profesori universitar, Blerim Latifi.

Sipas Latifit dialogu është shndërruar në vegël diplomatike që po i shërben vetëm Serbisë, por jo edhe Kosovës.

“Në këtë pikëpamje unë jam për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryen”, ka thënë ai.

Opozita përkrah rezistencën e Kurtit për Asociacionin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, për Gazetën “Enigma”, ka thënë se në kohën kur i gjithë ky presion po ushtrohet kundrejt Kosovës për themelimin e Asociacionit, i gjithë spektri politik duhet të jetë i unifikuar.

“Tani kur zërat për themelimin e Asociacionit po shtohen, vendit i duhen pozicione të qarta dhe është e nevojshme unifikimi i spektrit politik pozitë-opozitë sidomos në terma nacionale siç ishte kjo me Asociacionin, dhe jo tё kemi arrogancën e pozitës për shkak të numrave, sepse si shtet na presin procese të rëndësishme që do të orientojnë dhe përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thënë Lekaj.  

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Ai thekson se AAK-ja është aleat i kryeministrit Kurti me qëllim që të mbrohet Kushtetuta dhe integriteti i vendit.

“Partia e AAK-se dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë”, është shprehur ai.

Tutje ai ka shtuar se “Asociacioni nuk mund të jetë strukturë mbi komunale; as një etnik, duke rrezikuar karakterin multietnik të Kosovës”.

Kurse, analisti Blerim Burjani për Gazetën “Enigma”, ka thënë se aktualisht qeveria serbe po synon që asociacioni të formohet me kompetenca ekzekutive.

“Qëllimi i Serbisë është që të bëhet Asociacioni me kompetenca ekzekutive ose një republika Sërbska të vogël midis  Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij një gjë e tillë assesi nuk duhet lejuar nga pala kosovare.  

Ndërkohë kryeministri, Albin Kurti të enjten sërish theksoi se aidëshirojnë të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.

“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke në qendër, marrëveshje përveç që është e obligueshme për njohje reciproke”, deklaroi ai.

Kurse, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë për mediat e huaja ka akuzuar Bashkimin Evropian për humbje të autoritetit dhe kredibilitetit si union në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Siç shkruan kjo gazetë “Gërvalla thotë se Rusia dhe aleatët e saj rajonal – në veçanti Serbia dhe Bosnja e Hercegovina – po e shfrytëzojnë hezitimin e BE-së dhe po mëveshin të njëjtat ndarje etnike që ngrenë Ballkanin në luftërat brutale të viteve 1990”.

“Duke i injoruar gjerësisht rreziqet në rritje , BE ka humbur – dhe dita ditës po e humb më shumë – kredibilitetin dhe autoritetin në Ballkan”, konsideron Gërvalla.


/Gazeta Enigma.


Related Articles