Bekim Shotani tregon se cilat janë synimet e Drenicës për këtë sezon

Bekim Shotani tregon se cilat janë synimet e Drenicës për këtë sezon

KF Drenica ishte e vetmja skuadër nga Superliga e Kosovës që i nisi me vonesë përgatitjet për sezonin 2022/2023.

Skuadra nga Skenderaj përballej me borxhe të shumta nga sezoni i kaluar ku si pasoj e saj iu bllokua merkato për të transferuar lojtarë të rinj.

Drenica e zyrtarizoi trajnerin e ri më 13 gusht, një ditë para se ta luante ndeshjen e parë për këtë sezon në Superligë më 14 gusht ndaj Llapit.

Ashtu siç pritej, sezoni nuk nisi mirë për Drenicën, pasi u mposhtën si vendas në ndeshjen hapëse ndaj Llapit me rezultatin 0-1.

Pas një starti të dobët me dy humbje dhe një barazim, trajneri Bekim Shotani arriti ta këndellë skuadrën e tij.

Nga 8 xhiro të zhvilluara, Drenica pozicionohet në vendin e pestë me 11 pikë, duke qëndruar largë fundit të tabelës.

Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar se cilat janë synimet e klubit për këtë sezon.

Në xhiron e tetë Drenica befasoi për të mirë duke e mposhtur Prishtinën me rezultat 2-1. Fitorja ndaj Prishtinës sipas trajnerit Bekim Shotani tregon që skuadra e tij është në formë fizike të mirë.

Ai thotë se në pushimin 10 ditor që është për shkak të ndeshjeve të kombëtarëve do të  kenë mundësinë që ta rritin formën fizike.

Forma fizike për momentin është e mirë, kjo gjë u vërtetua me ndeshjen ndaj Prishtinës, pavarësisht vonesës që e kemi pasur për grumbullimin dhe fillimin e stërvitjeve, po ashtu kemi pasur lojtarë që janë bashkuar me vonesë. Besoj që brenda këtyre 10 ditëve që i kemi pushim do të bëjmë një mini-fazë përgatitore për këto 10 ndeshje të sezonit vjeshtor që na kanë mbetur”, thotë Bekim Shotani për Gazetën Enigma.

11 pikë nga 8 ndeshje është maksimumi i Drenicës sipas trajnerit të kësaj skuadre.

“Vështirësi kemi pasur me vonesën dhe grumbullimin e lojtarëve, kjo është maksimumi që e kemi dhënë deri tani nga ana e jonë për këto ndeshje”, shprehet Shotani.

Mesi i tabelës është synimi i Drenicës për këtë sezon, po ashtu kjo skuadër kërkon të jetë konkurruese në Kupën e Kosovës.

“Synimet tona janë të qarta për këtë sezon, të jemi një skuadër konkruese dhe ta mbarojmë sezonin në mesin e tabelës. Kurse në Kupën e Kosovës do të jemi konkurrues dhe do ta japim maksimumin, tasht ta shohim se si do të jetë rrjedha e ndeshjeve”, tregon 48-vjeçari.

Trajneri vushtrrias, Prishtinës i jep përparësi para skuadrave si Drita, Ballkani dhe Gjilani për titullin e kampionit.

“Deri tani skuadrat të cilat i shohë konkurrente për titullin e kampionit janë Prishtina, Ballkani, Drita dhe Gjilani. Por përparësi i jap Prishtinës”, vlerëson Shotani.

 “Ajo që kam vërejtur deri tani për dallim nga sezoni i kaluar është te rezultatet në fund të ndeshjes, loja tekniko-taktike të skuadrave, loja individuale e lojtarëve, përgatitja fizike të cilat janë pothuajse të balancuara”, i tregon dallimet e këtij sezoni me sezonin e kaluar në Superligën e Kosovës, trajneri Bekim Shotani.

Related Articles