Furnizimi me ujë të pijës ëshët një nga shërbimet thelbësore si për amvisëri po ashtu edhe për bizneset, shkruan Gazeta “Enigma”.
Janë publikuar disa pamje nëpër faqe të ndryshme ku shihet se ka rënie të nivelit të ujit si në Lieqinin e Badovit po ashtu edhe në pendën e Përlepnicës, nga ku kryhet furmizimi me ujë të pijes për anamoravën.
Po ashtu ka disa kohë që edhe reshje të shiut nuk pasur gjë që ka ndikuar në rënien e nivelit të ujit. Por, a ka mjaftueshëm ujë për pije? Gazeta “Enigma” në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar me KRU “Prishtina” dhe KRU “Hidromorava”.
“KRU” Prishtina” me kapacitetet aktuale furnizon me ujë të pijshëm rreth 40% të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Mjeku për “Enigmën”.
“Normalisht që urbanizimi i dendur shpesh i bën të pamjaftueshme burimet e ujit për ti furnizuar 24 orë me ujë sidomos gjatë stinës së verës kur kërkesa për ujë tejkalon parashikimet, përfshirë keqpërdorimet e ujit”, ka theksuar ajo.
Tutje ajo ka shtuar se reduktime aktualisht nuk ka, vetëm nëse ka punime në rrjet.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha se “reduktime nuk ka, me përjashtim kur ka punime të planifikuara apo të paplanifikuara teknike në rrjetin e ujësjellësit”.
Tutje ajo ka shtuar se “urbanizimi ka ndodh në zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit, objekte të pa legalizuara dhe normalisht ne e kemi obligim ligjor që ujë të dërgojmë në minimalisht 1.5 bar. Pastaj, objektet e reja duhet të vendosin pompa në objektet e tyre”.
Edhe nga KRU “Hidromorava” i kanë thënë “Enigmës’ se aktualisht kapaciteti është i plotë dhe se nuk ka reduktime të ujit.
“Kapaciteti i KRH Hidromorava momentalisht është i plotë, dhe furnizimi është i rregullt në gjithë rajonin. Përveç tri Fabrikave për Trajtimin e Ujit në Perlepnicë, Velekincë dhe Letnicë, edhe burimet vetanake në zonat rurale janë në kapacitet të plotë”, thuhet në përgjigjën e tyre.
Tutje ata kanë njoftuar se “momentalisht nuk ka reduktime të furnizimit me ujë dhe nuk planifikojmë të aplikojmë reduktime. Furnizimi është i qëndrueshëm në gjithë zonën”.
“Cilësia e ujit monitorohet rregullisht për të garantuar përmbushjen e standardeve shëndetësore”
“Cilësia e ujit të pijshëm është 100% i përshtatshëm për konsum njerëzor sepse monitorohet 24 h dhe kalon në procese teknologjike për trajtim”, ka deklaruar zëdhënsja e KRU “Prishtina”.
“Cilësia e ujit është brenda standardeve sipas vendimit administrativ për ujë të pijshëm. Cilësia e ujit mbikëqyret në baza ditore nga Laboratori i Akredituar i Kompanisë, por edhe nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik”, thonë nga KRU “Hidromorava”.
Tutje ata kanë njoftuar se “mund të ketë ankesa, por për çdo rast kompania e trajton me seriozitet; merren mostrat e ujit për analiza dhe njoftohet konsumatori për cilësinë e ujit. Zakonisht, ankesat për cilësinë e ujit janë të pabaza, por ne e trajtojmë secilin rast me seriozitet”.
Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme, veçanërisht për shkak të borxheve të larta të akumuluara nga konsumatorët
“Borxhi total i konsumatorëve është mbi 45 milion euro. Ne ofrojmë mundësi të lehta për pagesa të borxheve prej 12 deri në 36 muaj. 80% e sasisë së ujit shpenzohet nga sektori i amvisërisë, andaj edhe borxhet janë më të mëdha nga ky sektor. Po, konsumatorët shkyqen për mospagesë dhe lidhje ilegale dhe ka raste të shumta”, ka deklaruar Mjeku.
“Mbi 6 milionë euro janë borxhe të papaguara, shumica nga amvisëritë”
“Shuma totale e borxheve që kanë konsumatorët ndaj kompanisë është mbi 6,000,000 euro. Kjo është një shumë e madhe dhe ftojmë konsumatorët që të bëjnë pagesat, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve ndaj tyre”, kanë njoftuar nga KRU “Hidromorava”.
Tutje ata kanë theksuar se mbi 80 për qind e borxheve janë konsumatorë të amvisërisë.
“Shumica e borxheve u takojnë konsumatorëve të amvisërisë, mbi 80%, ndërsa pjesa tjetër janë biznese. Kompania është duke u treguar e vendosur në mbledhjen e borxheve dhe të gjithë ata që nuk paguajnë do të shkëputen nga rrjeti i ujësjellësit”.
Ndërprerja e ujit dhe dërgimi i lëndëve te përmbaruesi privat janë disa nga masat që ka marr KRU “Hidromorava” ndaj borxhëlinjëve.
“Masat që aplikojmë janë të ndryshme, si: telefonata, vërejtje me shkrim si masa më të lehta, deri te ato më radikale, si ndërprerja e ujit nga rrjeti i ujësjellësit dhe dërgimi i lëndëve te përmbaruesi privat”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje ata kanë theksuar se “kompania ofron lehtësira për të gjithë konsumatorët e saj, si ata të amvisërisë ashtu edhe bizneset, duke mundësuar ristrukturimin e borxhit apo riprogramimin, duke paguar me këste mujore pa kurrfarë kosto shtesë. Prandaj, lusim konsumatorët të shfrytëzojnë këtë mundësi, pasi çdo ndërprerje nga rrjeti i ujësjellësit ngarkohet me kosto shtesë”.
“Vetëm vitin e kaluar janë ndërprerë mbi 500 konsumatorë, si për borxhe, ashtu edhe ata që janë identifikuar duke vjedhur shërbimet e ujësjellësit përmes lidhjeve ilegale. Afati i pagesës së faturës është 20 ditë dhe, pas kësaj kohe, konsumatorët që bëjnë më shumë se 3 muaj pa kryer pagesat do të përballen me ndërprerjen e furnizimit”, thuhet në përgjigjene KRU “Hidromorava”. /Gazeta Enigma/