Bileta gjithëpërfshirëse për përdorimin e trafikut urban pa pagesë sa për “sy e faqe”

Bileta gjithëpërfshirëse për përdorimin e trafikut urban pa pagesë sa për “sy e faqe”

R.S. qytetarja nga Gjilani nuk ka mundur ta shfrytëzojë biletën gjithëpërfshirëse ashtu siç kishte lajmëruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për qytetarët që udhëtojnë nga qytetet tjera drejt Prishtinës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Më 17 mars të këtij viti Përparim Rama kishte njoftuar në profilin e tij në Facebook se kishte bërë një hap të rëndësishëm për qytetarët e komunave tjera që udhëtojnë drejt kryeqytetit, por si duket ky vendim paska qenë vetëm sa për “sy e faqe”.

“Ky vendim ndodh për herë të parë në historinë e transportit urban në Kryeqytet dhe është pjesë e reformës së transportit publik urban, që shënon një hap të madh në përmirësimin e shërbimeve publike. Vendimi hyn në fuqi nga sot, më datë 17.03.2025. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në procesin e reformës për transportin publik në Kryeqytet, nga i cili do të përfitojnë edhe qytetarët e Kryeqytetit. Me këtë organizim të ri të transportit publik, Kryeqyteti do të ketë më pak vetura, më pak trafik, më pak ndotje ambientale dhe më shumë organizim dhe siguri”, kishte deklaruar Rama.

Qytetarja R.S. në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se deri më tani nuk i kishte rënë që ta shfrytëzonte biletën e autobusit që kishte shkuar nga Gjilani në Prishtinë për të udhëtuar falas në kryeqytet, por sipas kondukterit kjo biletë ishte e pavlefshme.

“Në momentin që erdhi konduktori i dhashë biletën për ti treguar se lirohem nga pagesa, por ai më tha se kjo biletë nuk vlen pasi sipas tij bileta e vlefshme është ajo që është e vulosur në stacionin e autobusëve në Prishtinë”, tha ajo.

Tutje ajo ka shtuar se “kishte dëgjuar nga shoqet e saj se ato e kishin shfrytëzuar at biletë për udhëtimet me autobusët urban, kjo ngjalli dyshime mos kondukteri këto vendime po i thotë nga koka e tij, prandaj ajo e pyeti atë se prej kur është marrë ky vendim dhe ai i tha se tani e një muaj”, tha qytetarja për “Enigmën”.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar Komunën e Prishtinës të cilët e kanë konfirmuar një gjë të tillë me pretekstin se “ky vendim i kryetarit për transportin publik është marrë me qëllim për të përmirësuar trafikun në qytet dhe për të garantuar sigurinë rrugore”.

“Vendimi i Kryetarit për transportin publik është marrë me qëllim për të përmirësuar trafikun në qytet dhe për të garantuar sigurinë rrugore”, tha eksperti për Digjitalizim dhe Telekomunikacion, z. Luftar Braha.

Pra, nëse qytetarët nga komunat tjera ndalen në stacione tjera gjatë rrugës dhe nuk shkojnë në stacion të autobusëve ta vulosin biletën nuk mund të udhëtojnë falas me autobusët e trafikut urban.

Tutje Braha tha për “Enigmën” se “aktualisht, ndalesat e autobusëve ndërurban brenda qytetit janë ilegale dhe paraqesin rrezik. Disa operatorë nuk i respektojnë rregullat, duke shmangur Stacionin e Autobusëve dhe duke bërë ndalesa të paautorizuara”.

“Integrimi i biletës ditore është planifikuar si pjesë e një reforme më të gjerë të transportit publik, që synon lehtësimin e qasjes për qytetarët dhe rregullimin e qarkullimit të autobusëve”, ka përfunduar Braha. /Gazeta Enigma/

Related Articles