Kryeministri Albin Kurti i ka komentuar deklaratat e presidentes Vjosa Osmani, e cila në fjalimin e saj vjetor në Kuvend ndër të tjera tha se nuk bën të luhet bixhoz me aleatët, duke iu referuar raporteve të tensionuara të Qeverisë e Kurtit me shtetet Perëndimore.
Kurti tha se “gjithmonë ka qenë në komunikim edhe me presidenten Osmani”, sa i përket politikës së jashtme.
“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim, bashkërendim me presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren Gërvalla sa i përket politikes së jashtme. Të arriturat i kemi të përbashkëta dhe kësisoj duhet të vazhdohet. Të gjitha vështirësitë, sfidat nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë. Besoj që kurrë nuk ka qenë veriu më si sigurt se tani”, tha ai.
Këto komente Kurti i bëri para mediave në Podujevë, ku mori pjesë në vënien e gurthemeleve për tri projekte.