Pas situatës së krijuar me dështimin e konstituimit të Kuvendit, Eugen Cakolli nga KDI sërish e ka sqaruar situatën në aspektin ligjor duke theksuar se “ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend”.
Ai ka thënë se me “mandat të kryer” apo “në detyrë” – prapë është Qeveri.
“Një ministër nuk pushon së qeni ministër vetëm pse shkon për të dhënë betimin në Kuvend. Nëse je ende në Qeveri – në çfarëdo kapaciteti – je pjesë e pushtetit ekzekutiv. Të jesh “në detyrë” nuk do të thotë që je “ish-(krye)ministër”. Do të thotë që nuk ke më mandat të plotë – por ke ende pushtet. E pikërisht për këtë arsye, ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend. Sepse nuk mund t’i shërbesh dy pushteteve në të njëjtën kohë. Jo për arsye estetike, por për rend demokratik”, theksoi ai.
Tutje ai komentoi debatin që nisi pas dështimit të seancës konstituive, i cili sipas tij “është më shumë se interpretim i një neni”.
“Është provë e karakterit institucional dhe sjelljes politike të partisë në pushtet. Sepse kur një Kryeministër apo ministër vjen për të marrë mandatin si deputet pa dhënë dorëheqje formalisht, nuk kemi zbrazëti ligjore. Kemi një zgjedhje të qëllimshme për të shtyrë kufijtë e rregullit”, theksoi ai.
“Disa po thonë: “Po nëse të gjithë japin dorëheqje, kush e udhëheq shtetin?” Përgjigjja është e qartë dhe e nënkuptueshme: shtetin nuk e mbajnë individët apo emrat e përveçëm – e mban sistemi. Zëvendës(krye)ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe administrata janë aty. Ka instrumente tranzicioni dhe ka mekanizma për të funksionuar përkohësisht. Ideja është që institucionet të zgjidhen sa më shpejt – jo që të kalkulohet e kundërta”.
Ai shtoi se “Në fund të fundit, nuk ka asnjë nen që thotë “ose qëndro në dy funksione, ose le shtetin pa qeverisje.” Ligji thotë thjesht – mos mbaj dy pushtete njëkohësisht”.
Ai thotë se kur dorëhiqesh nga ekzekutivi, atëherë s’ka më vend për të qëndruar në objekt, e lëre më për të nxjerrë udhëzime administrative, apo për të votuar borde. / Gazeta Enigma.