Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka qëndruar për vizitë në Greqi ku është takuar me homologun e saj, kryediplomatin grek, Nikos Dendias.
Takimi i Gërvallës me Dendias ka ngjallur reagime pas zhvillimeve të fundit midis Kosovës dhe Greqisë ku është folur gjithashtu edhe për njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga shteti grek, por gjithashtu edhe për shkak të gazsjellësit amerikan “Trans-Atlantik-Pipeline” që mendohej që përfshinte edhe Kosovën së bashku me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut nëpërmjet një interkonektori.
Pas këtij takimi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës doli me një komunikatë për media thanë se u diskutua në terma konkret për format e bashkëpunimit dypalësh midis shteteve. Në takim u diskutua për marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, për konstruktivitetin e Greqisë në raport me agjendën evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave, por gjithashtu edhe për energjinë.
Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike. “E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, theksoi ajo.
Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.
“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, shtoi Gërvalla.
Në anën tjetër, kreu i diplomacisë greke, Nikos Dendias, ka theksuar dëshirën e Qeverisë së Greqisë, që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë i lidhur përmes gazsjellësit Trans-Adriatik(TAP). Një deklaratë të tillë Dendias e ka bërë pas takimit që ka pasur me ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Shwarz.
Takimin midis Dendias dhe Gërvalla-Schwarz edhe më të rëndësishëm e bën fakti që kryediplomati grek do të takohet me Emisarin Special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një komunikatë të ministrisë greke, thuhet se Dendias do ta takojë Lajçakun në fund të agjendës së tij të nesërme në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, ku kryediplomati grek do të marrë pjesë.
Përveç qasjes më konstruktive që Greqia e ka ndaj Kosovës krahasuar me katër vendet e tjera mosnjohëse të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, vitin e kaluar shumë shpesh është raportuar për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga Greqia.
Lidhur me këtë çështje, mediat serbe patën raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë presion ekonomik mbi Greqinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës gjë që më pas u mohua ngë autoritetet greke, duke theksuar se pozicioni i Greqisë ndaj Kosovës nuk ka lëvizur.
Por, lëvizje të tjera SHBA – Greqi nuk është se nuk pati. Në kohën kur flitej për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia, ZëvendësNdihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer kishte takuar ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias, duke vlerësuar pas takimit se e përkrahin dialogun Kosovë – Serbi dhe se “pozicioni i Greqisë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar”.
“Zjarre” u ndezën pas një deklarate të paqartë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, rreth Kosovës, i cili deklaroi se pozicioni i Greqisë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, por shtoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar.
“Ndonëse pozicioni ynë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, ne mbajmë qëndrim konstruktiv dhe e përkrahim dialogun Beograd – Prishtinë. Si legjitimitet i një njohjeje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vlerësoi më 2010 nuk e shkel ligjin ndërkombëtar, sepse nuk ka qenë produkt i përdorimit të paligjshëm të forcës së dënuar nga Këshilli i Sigurimit, siç ishte rasti i një pseudo-shteti (të Qipros Veriore) më 1983”, deklaroi kryediplomati grek aso kohe.
Dendias u takua edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken ku gjithashtu u rritën zërat për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga Greqia, por as këtë herë nuk pati asgjë konkrete./Gazeta Enigma/