Analizë nga njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, rreth politikës së Serbisë në raport me Bashkimin Evropian.
Mardhënia e Serbisë me Kosovën, tensionet etnike në Bosnje dhe Hercegovinë brenda Republikës Srpska, dështimi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve territoriale, disa nga arsyet për avancim të ngadaltë nga ana e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
“Me çdo përshkallëzim të tensionit midis Serbisë dhe Kosovës, ekziston një potencial i mundshëm për të prishur procesin e zgjerimit të BE-së në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Efektet e përhapura kërcënojnë stabilitetin e përgjithshëm të të gjithë rajonit, pasi tensionet etnike në vende të tjera, si në Bosnje dhe Hercegovinë brenda Republikës Srpska, po intensifikohen. Për shkak të së kaluarës së tyre të përbashkët, paqja dhe stabiliteti brenda një vendi të Ballkanit Perëndimor varet shumë nga paqja dhe stabiliteti i vendit tjetër, po aq sa shpresat për pranim për një vend shpesh lidhen me shpresat e një tjetri. Dështimi për të zgjidhur mosmarrëveshjen territoriale, megjithatë, nuk është arsyeja e vetme për avancimin e ngadaltë të Serbisë në BE”, ka shkruar Shabani.
Sipas tij viteve të fundit Qeveria e Serbisë është shfaqur e ftohtë karshi politikave të BE-së, edhe pse është kandidate në BE. Qëndrimi i shtetit serb ndaj Rusisë rrjedh si rezultat i pakënaqësis ndaj NATO-s, e cila u bombardua në vitin 1999.
“Gjatë viteve të fundit, qeveria serbe ka demonstruar gjithnjë e më shumë përkushtim të reduktuar ndaj vlerave të BE-së dhe rezistencë ndaj përafrimit me politikën e jashtme të bllokut, dëshmi e së cilës është marrëveshja e shtatorit 2022 midis Serbisë dhe Rusisë që premton konsultime afatgjata për çështjet e politikës së jashtme. Pavarësisht se është një kandidate në BE, qëndrimi zyrtar dhe popullor i Serbisë për pushtimin rus të Ukrainës devijon nga ai i unifikuar i BE-së. Serbia jo vetëm që nuk vendosi asnjë sanksion ndaj Rusisë, por nënshkroi edhe një marrëveshje të re për furnizimin me gaz dhe i la mediat ruse të vazhdojnë të operojnë në vend. Një nga arsyet e mungesës së denoncimit të Serbisë ndaj agresionit rus është ndoshta pakënaqësia e përhapur ndaj NATO-s që ndajnë të dy vendet, e pranishme në Serbi që nga bombardimet e NATO-s në vend në vitin 1999. Një arsye tjetër mund të jenë shpresat se një fitore ruse ndaj Ukrainës mund të japë vendosmëri dhe vrull për kërkesa më të guximshme”, ka vazhduar Shabani.
Sipas analistit Shabani një konflikt në Kosovë do të ishte arsye për “festë” për Putinin.
“Një konflikt i rinovuar në Kosovë jo vetëm që do të inkurajohej nga Rusia – pasi ndikimi rus mbi politikën serbe pretendohet se po bën presion për një inkursion të armatosur në veri të Kosovës – por gjithashtu do të ishte një arsye për “festë” për presidentin rus. Një konflikt në Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon në pragun e BE-së, do të thotë një zhvendosje e vëmendjes nga Ukraina në Serbi dhe Kosovë, dhe polarizim i mëtejshëm politik dhe destabilizim brenda bllokut në lidhje me mbështetjen ose mospërkrahjen e konflikteve të caktuara. Intensiteti i negociatave të ditëve të fundit tregon një shenjë urgjence dhe mirëkuptimi se Bashkimi Evropian do të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar një qetësi të re. Megjithatë, me njëfarë humbjeje të besueshmërisë, BE-ja duhet të aplikojë të gjitha mjetet në dispozicion për të rifituar besimin dhe dëshirën për rrugëtimin e rajonit drejt BE-së”.
“Rekomandimi i Komisionit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidaturës Bosnjë dhe Hercegovinës në tetor, konsiderohet një hap në drejtimin e duhur për të rikthyer mbështetjen për BE-në në rajon, ndërkohë që motivon politikanët të qëndrojnë në kursin e BE-së në vend që të gjejnë mbështetje diku tjetër. Derisa shumë përpjekje të duhura janë bërë për të mbështetur Ukrainën, një risigurim kuptimplotë i rajonit të Ballkanit Perëndimor është thelbësor tani. Kjo mund të kombinojë mbështetjen politike, ekonomike dhe të shoqërisë civile. Impulsi i duhur mund t’u japë vendeve vendosmërinë për të vazhduar reformat për të hyrë në BE sa më shpejt të jetë e mundur, në vend që të dorëzohen dhe të nënshtrohen ndaj ndjenjave anti-BE dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme të cilat cënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”./GazetaEnigma/