Denis Bytyqi, i akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, është dënuar me dy vjet burgim, ndërsa Enis Bitiq me 1 vjet burgim për nxitje të përçarjes.
Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Denis Bytyqit iu ndërprit masa e paraburgimit.
Në seancë nuk ishin të pranishëm prokuroria speciale dhe të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 23 shtator 2025, Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq, akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare.
Aktakuza thotë se në vazhdimësi deri më 1 maj 2025, përmes rrjetit të tyre social “Facebook” dhe “Tik Tok”, të akuzuarit kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse përmes të cilave kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad, si dhe postime tjera ku shpërfaqin përkrahje të fuqishme të ekstremizmit fetar dhe publikisht i përkrahin veprimet e bëra nga organizata terroriste “ISIS”, duke shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre.
Sipas aktakuzës, ata kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi kulmin e shtëpisë të tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime dhe postime potencialisht mund të prishet rendi publik.
