Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë janë pritur sot në vizitë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami dhe Selma Kuçeviq, ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kurtit në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Kryetari i SDA, Sulejman Ugljanin, siç thuhet në komunikatën për medie, e falënderoi Kurti për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë.
Ai tha se boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë.
Ugljanin theksoi se deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
“Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve”, tha Ugljanin.
Ai e vlerësoi qasjen e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi.
“Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan”, shtoi ai.
Deputetët e njoftuan Kurtin për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, ata thanë se Këshilli Nacional Boshnjak në Serbi i ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv.
Ndërsa Asambleja e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë.
Kryeministri Kurti tha se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi.
Ai ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit.
“Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, tha Kurti.