Deputetët spanjollë bëjnë thirrje për njohjen e Kosovës

Deputetët spanjollë bëjnë thirrje për njohjen e Kosovës

Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, i është bërë thirrje që ta njohë pavarësinë e Kosovës, gjatë seancës plenare në Parlamentin e Spanjës të mërkurën.

Deputeti i partisë baske PNV, Aitor Esteban, ka thënë se duhet të njihet Kosova një herë e përgjithmonë.

“Njihni Kosovën një herë e përgjithmonë, nëse jeni përballë me të edhe në futboll”, ka thënë Esteban, duke iu referuar përballjes së Kosovës me Spanjën në eliminatoret për Botërorin 2022 në Katar, njofton Europa Press. “Çfarëdo që duhet të ndodhë do të ndodhë”.

Po ashtu edhe Mertze Aizpurua e partisë tjetër baske EH Bildu, ka thënë se është koha të njihet Kosova.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa është njohur nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Pesë shtete të BE-së – Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia – ende nuk e njohin Kosovën.

“Është koha që Kosovës t’i njihet sovraniteti dhe legjitimiteti si shtet i plotë”, ka thënë Aizpurua. “Nuk do t’i kthejmë shpinën demokracisë apo vendimit të qytetarëve, as në Ballkan e as në një pjesë tjetër”. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles