Deklaratat fyese për masakrën e Reçakut të deputetit aktual të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Todosijeviq, do t’i kushtojnë atij me humbjen e mandatit të deputetit.
Kjo pasi atij i është vërtetuar dënimi me dy vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjellë Gazeta “Enigma”.
“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, ishte një pjesë e fjalimit që Todosijeviq kishte thënë më 24 mars 2019 në Zveqan.
Kjo deklaratë, kishte bërë që Prokuroria Speciale ta akuzojë atë për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Për këto deklarata, Todosijeviq më 5 dhjetor 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vite burgim efektiv, i cili dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Me vendimin e shkallës së dytë, dënimi me burgim tashmë është bërë i formës së prerë.
Për këtë ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq. Ai e ka quajtur vendim të turpshëm atë të Apelit, duke shtuar se i ka shkaktuar “dëme të pallogaritshme procesit të pajtimit në Kosovë e metohi”.
“Me këtë vendim skandaloz, i cili nuk është i bazuar as në drejtësi e as ligj, situata e sigurisë në Kosovë dhe metohi është shkelur në mënyrë të rrezikshme, sepse vendimi kundër Ivan Todosijeviqit është një vendim për secilin serb për lufton për të vërteten”.
Ai ka vazhduar të konfirmojë edhe vetë atë që pati deklaruar Teodosjeviq, duke thënë se ky i fundit ka deklaruar atë që çdo serb e di dhe që është thënë edhe nga presidenti serb. Teksa, ka paralajmëruar përgjigje “të fuqishme” të Listës Serbe.
Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.
Në këtë mënyrë, dënimi i formës së prerë prej dy vitesh do të ndikojë që Todosoijeviq me automatizëm ta humbet mandatin e tij aktual si deputet.
Në anën tjetër, ulësen e tij pritet ta zë deputetja e Listës Serbe Dragana Antoniejeviq. Kjo pasi që, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, Antoniejeviq është deputetja me më së shumti vota. Pavarësisht se ajo kishte siguruar 6,919 vota, nuk nuk kishte arritur të siguroi ulësen e deputetes.