Pasi u zyrtarizua se Festivali “Sunny Hill”, nuk do të mbahet, reagimet ishin të shumta si nga politikanët dhe artistët e njohur, duke shfaqur pakënaqësi për anulimin e këtij festivali.
Lajmin e bëri të ditur vetë organizatori i këtij festivali Dukagjin Lipa. Ai fajësoi Institucionet e Kosovës, për dështimin e festivalit.
Lidhur me këtë çështje organizatori Lipa, menjëherë i ka reaguar krerëve të shtetit përmes një letre, ku ka kritikuar shtetin për politizim të kërkesave të festivalit e për injorim të tij.
Për zhvendosjen e festivalit në qytetin e Tiranës, foli edhe këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, përmes një postimi në profilin e saj në Instagram.
Ku bëri të ditur se festivali “Sunny Hill”, do të ketë atmosferën e njejtë, vetëm lokacionin ndryshe.
Lidhur me këtë ngjarje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike, Shemsi Jasharin, i cili e komentoi vendimin e fundit nga ana e Qeverisë si dhe reagimet e shumta nga personazhet politike.
Ku sipas tij një gjë e tillë shpërfaqë një mungesë të vizionit dhe strategjisë diplomatike që kjo qeveri ka në raport me politikën e jashtme.
“Dështimi për të siguruar lejet e nevojshme për mbajtjën e festivalit “Sunny Hill”, është gabim strategjik dhe dështim me pasoja të medha për diplomacinë kulturore dhe shtetin. Kjo tregon tregon për një mungesë të vizionit dhe strategjisë diplomatike që kjo qeveri e ka në raport me politikën e jashtme”, u shpreh Jashari.
Jashari thekson se hapsira e kërkuar nga ana e organizatorit të festivalit për 99 vite, nuk është në shfrytëzim si dhe do t’i mundësonte vendit tonë të ketë edhe viteve tjera organizime të cilat do të sillnin mijëra turist në Kosovë.
“Dhënia e hapsirës do të siguronte që edhe viteve tjera do të kishte organizime të tilla që do te sillnin qindra mijëra turistë që do të shpenzonin në Kosovë. Shtetet normale me dije shtetërore, investojnë miliona për të sjellur në vendet e tyre yje botërore dhe jo ti ndjekin ata për byrokraci e shpirtëngushtësi. Pastaj hapësira e kërkuar nuk është në shfrytëzim dhe nuk pritet të shfrytëzohet njeherë për ndonjë aktivitet në interes publik dhe as për të ndonje aktivitet që shtetit i sjellë ndonjë përfitim ekonomik”, përfundoi Jashari për Gazetën Enigma.
Reagimet nga politikanët tanë dhe të Shqipërisë, filluan menjëherë qysh pas publikimit të lajmit të tillë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u deklarua se ky vendim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit, duke shtuar se kjo është një humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.
Krytari Rama insistoi që “Sunny Hill”, të mbahet në Prishtinë dhe ftoi ekzekutivin që të reflektojë lidhur me këtë vendim.
Edhe nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, u shpreh se ky festival duhet të mbahet në kryeqytet, ku theksoi se Prishtina e ka zemrën e hapur për Duan.
Ndërkohë reagimi ka qenë i menjëhershëm edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku thanë se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e kësaj ministrie, derisa janë proces të shqyrtimit të këtij akti, ku kanë theksuar se kanë munguar disa dokumente esenciale në aplikacion.
Lidhur me zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë u deklarua edhe Donjeta Miftari, këshilltare e presidentës Vjosa Osmani.
Miftari tha se Presidenca “luftoi” për ta mbajtur festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë, meqë sipas saj, rinia jonë pret dhe meriton më mirë.
Për dështimi e mbajtjes së festivalit në Prishtinë, ka reaguar edhe Viola von Cramon.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha se ndjehet keq me faktin që Sunny Hill nuk do të mbahet këtë verë në Prishtinë dhe fajëson Qeverinë e Kosovës.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, u deklarua se nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë.
Sipas tij, organizatorët e festivalit kanë bërë presion duke kërkuar marrëveshje sa më të shpejt.
“E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, tha Çeku.
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, rreth kësaj çështje u shpreh se qeveria fajson komunen, e komuna qeverinë, sipas tij Gjykata brenda 30 ditëve duhet të kumtojë një vendim për “Sunny Hillin”.
Reagimi i menjëhershëm ishte edhe ai i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shpreh i gëzuar lidhur me këtë lajm.
Rama e ka quajtur lajm të mirë zhvendosjen e “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, ai tha se “S’ka si Tirona jo”.
Gëzimin lidhur me këtë zhvillim e ka shprehur edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili tha se do të jemi bashkë si shqiptarë të mirë sot në Tiranë dhe nesër në Prishtinë.
Mendim tjetër ndanë Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, se e mori Sunny Hill-in si predator.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë, ku sipas shefit të GP-së, Besnik Tahirit, sipas tij anulimi i festivalit në fjalë, është pasqyrë e vendimmarrjes së ngadalshme të Qeverisë.
Analisti i njohur politik Nexhmedin Spahiu, ka komentuar vendimin e fundit për festivalin “Sunny Hill”, i cili akuzoi organizatorin e këtij festivali Dukagjin Lipa dhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun.
“Dukagjin Lipa futi veshët në lesh dhe i kërkon 17 hektarë tokë të Kosovës për të bërë një gjë për Kosovën. Kurse nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, flet me pezhorativ për tokën e Kosovës (“17 hektarë djerrinë”) gjë që nxjerr në pah se çfarë konsiderate ka për tokën e Kosovës”, u shpreh Spahiu.
Reagimet ishin të shumta edhe nga artistët kosovarë të cilët fajësuan Qeverinë aktuale për dështimi e festivalit.
Reperi i njohur Mozzik, lidhur me këtë çështje akuzoi qeverinë se po i shkakton dëme vendit.
Edhe reperi nga Prishtina, Majk, u shpreh se ky dështim është rezultat i mospërkrahjes nga ana e shtetit të Kosovës.
“Është shumë keq nga ana e Ministrisë së Kulturës ose kushdo që është kompetent për organizime të tilla, mos të ketë përkrahje të shtetit për një festival kaq të mirë që bashkon gjithë rininë, në një vend. Ky festival që ka për qëllim, argëtimin e muzikën është një mënyrë e mirë që Kosova të njihet edhe nga vendet tjera të botës”, ka thënë Majk.
/ GazetaEnigma