Dështon votimi i komisionit për hetimin e situatës energjetike, opozita e quan “lojë të ndyrë”

Dështon votimi i komisionit për hetimin e situatës energjetike, opozita e quan “lojë të ndyrë”


Në seancën e sotme të Kuvendit, ka dështuar të miratohet krijimi i komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.


Për krijimin e komisionit votuan 23 deputetë, 50 votuan kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Komisioni i propozuar nga PDK-ja nuk u votua nga deputetët e LVV-së.

Sipas Abelard Tahirit, shef i grupit parlamentar të PDK-së, kishte një dakordim paraprak për krijimin e këtij komisioni, duke e quajtur të turpshme votimin kundër nga deputetët e pozitës.

“Refuzimi ishte një lojë e ndryrë”, tha Tahiri, sipas të cilit “është hera e parë që me votë refuzohet një komision parlamentar”.

“Kjo çështje nuk do të mbyllet sot këtu. Ne kemi edhe mundësi tjera parlamentare ta procedojmë tutje me 40 nënshkrime, pa pasë nevojë të vihet në Kuvend, por kemi pasur dëshirë ta kemi një koordinim”, tha Tahiri, duke thënë se PDK-ja nuk do të vazhdojë të qëndrojë në seancë.

Kryetarja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari tha se paraprakisht ishin pajtuar të votojnë për krijimin e komisionit, por tha se ishin marrë vesh që të mos ketë debat për këtë çështje.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e quajti të çuditshme këtë.

“Çka po doni me fsheh?”, pyeti Gashi, duke i thënë deputetëve të pozitës se “veç jeni koritë”, ndërsa parlajmëroi krijimin e këtij komisioni në rrugë tjetër.

Sipas Gashit, kjo tregon se nevojitet krijimi i një komisioni të tillë.

Besnik Tahiri nga AAK pyeti “pse të mos e zbardhim të vërtetën?”. / Gazeta Enigma.

Related Articles