Detaje nga dosja e Prokurorisë: Si ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë?

Detaje nga dosja e Prokurorisë: Si ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë?

Të mërkurën përmes rrjeteve sociale, Jon Hoti pretendohet se kishte aranzhuar një takim me Rexhep e Albison Shlivova në një lokal në qendër të Klinës.

E gjatë këtij takimi, tutje dosja e prokurorisë të cilën e ka siguruar Kallxo tregon se 19 vjeçari Jon Hoti në mënyrë të fshehtë dyshohet se kishte nxjerrë një armë zjarri dhe ishte kthyer nga dy viktimat e kishte shtënë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë e që për pasojë Rexhep e Albison Shlivova nuk kishin arritur t`u shpëtonin plagëve që kishin marrë.

Kështu përshkruhet se ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë por që ende deri më tani nuk është zbuluar saktë motivi që shtyu të riun tashmë të dyshuarin kryesor, Jon Hoti të kryente veprën penale të vrasjes së rëndë.

U raportua se tashmë ekipe policore janë të vendosura në afërsi të shtëpive të viktimave dhe të dyshuarit për shkak se raportet janë acaruar mes familjeve.

Këtë e mbështet edhe një deklaratë e njërit nga familjarët e viktimave që dyshohet se e kishte dhënë në spitalin regjional të Pejës e që kjo u evidentua edhe në një raport të një zyrtari policor i cili ishte aty.

“Shteti ka dështuar komplet, s’ka lidhje që ma vranë djalin, se unë kam me nxjerrë gjakun pa u bo sabahu se m`i kanë bo dy xhenaze”- përmendet se ka thënë familjari i viktimave gjatë kohës sa ishte në spital.

Jon Hoti pasi dyshohet se kreu krimin nuk ishte arrestuar në vendin e ngjarjes ndërsa tek pas disa orësh ai ishte dorëzuar te organet e rendit.

Avokati i Jon Hotit, në seancën për caktimin e masës së sigurisë kishte thënë se shpreh ngushëllime për rastin që kishte ndodhur.

“Shpreh ngushëllime më të sinqerta për familjen Shlivova, duke ndjerë keqardhje për rastin që ju ka ndodhur dhe situatën në të cilën gjendemi”- ka thënë avokati i të dyshuarit gjatë seancës.

Ai madje nuk e kishte kundërshtuar masën e sigurisë, atë të paraburgimit që kishte kërkuar Prokuroria Themelore në Pejë.

Edhe i pandehuri Jon Hoti në fjalën e tij kishte deklaruar se e mbështet fjalën e avokatit të tij që e përfaqësonte në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Prokuroria kishte propozuar edhe që të intervistohen persona të cilët janë të ndërlidhur me rastin në mënyrë që të zbardhet në detaje çka i parapriu vrasjes dhe cilat ishin mosmarrëveshjet mes viktimave dhe të dyshuarit.

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës (13.11.2024) në Klinë u raportua për të shtëna armësh brenda një lokali/kafene.

Dy persona kishin marrë plagë nga arma e zjarrit ndërsa për njërin u konfirmua vdekja në vendin e ngjarjes e tjetri vdiq më pas.

Ekipet policore kishin dalë në vendin e ngjarjes ndërsa nga Prokuroria në Pejë dy prokurore të krimeve të rënda i ishin përgjigjur ngjarjes.

Sipas informacioneve që ka marrë KALLXO gjatë ditës së enjte më 14.11.2024 lidhur me këtë rast nga Prokuroria e Pejës është konfirmuar se kanë vendosur pika statike të policisë në fshatin ku gjenden të dy familjet me qëllim të mos përshkallëzimit të situatës më tutje.

“Prokurori i çështjes e ka vlerësuar që në fshatin përkatës ku gjinden edhe familja e viktimës dhe personit të pandehur të vendosen pika statike nga Policia e Kosovës si masa për mos t`u përshkallëzuar situata”- kishte thënë Nikçi.

Për rastin u deklaruan edhe prokurorja e Prokurorisë së Pejë, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.

Related Articles