Minutat e fundit në sesionin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth raportit të ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut, dy ministrat e Punëve të Jashtem – ajo e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ai i Serbisë, Marko Gjuriq, i shfrytëzuan për kundërshti ndaj njëri-tjetrit për të drejtat e pakicave.
Edhe pse patën jo më shumë se shtatë minuta në dispozicion, Gërvalla i shfrytëzoi këta minuta që të tregojë se serbët në Kosovë jetojnë mirë dhe nuk janë të kërcënuar nga askush.
Ndryshe prej saj, Gjuriq u mundua t’i bindë të tjerët për të kundërtën, madje duke e quajtur ministren kosovare si “përfaqësuese të regjimit të Albin Kurtit”.
Gërvalla-Schwarz tha se kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me masat e fundit që janë kritikuar edhe nga Bashkimi Europian, nuk mund t’i ndalin serbët e Kosovës nga ndërtimi i një të ardhme më të mirë në Kosovë.
Madje, ajo bëri një krahasim mes të drejtave të serbëve lokalë në Kosovë dhe të drejtave që ua jep Serbia shqiptarëve në Luginë.
“E ftoj Serbinë dhe të gjithë ata që kritikojnë nivelin e mbrojtjes së pakicave në Kosovë ta barazojnë këtë nivel në vetë Serbinë. E kemi shprehur dhe e k
emi thënë se jemi të gatshëm ta aplikojmë parimin e reciprocitetit për sa i përket të drejtave të pakicave në Serbi”- tha ajo.
Kryediplomatja kosovare tha se nëse Serbia beson se të drejtat e serbëve në Kosovë nuk respektohen, atëherë jemi të gatshëm të bëjmë reciprocitet dhe të shohim se kujt i respektohen këto të drejta.
“Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, më lejoni ta përsëris se oferta mbetet e hapur; jemi të gatshëm t’i nënshkruajmë dokumentet që Bashkimi Europian ka propozuar, thjesht po presim nënshkrimin e presidentit Vuçiq”.
Gërvalla tha se shpreson që viti 2025 do të sjellë një rifillim të ri në dialog me një strategji të qartë, që “na mundëson hapa të vegjël, në mënyrë që të tejkalojmë bllokimin dhe ngecjet që shkaktohen nga Serbia”.
Në anën tjetër, Gjuriq i shfrytëzoi minutat e tij që të përdorë epitete ndaj ministres Gërvalla si gënjeshtare, duke pretenduar që serbët në Kosovë jetojnë keq dhe duke u munduar ta cenojë me fjalë integritetin territorial të Kosovës.
“Një mesazh i trishtë nga përfaqësuesja e regjimit të Kurtit. Dëgjuam një rrjedhë të pandalshme të gënjeshtrave dhe ofendimeve për Serbinë dhe për presidentin tonë Vuçiq”- tha ai.
Gjuhën e Gërvallës, ai e quajti shpifëse e që nuk bën asgjë tjetër veçse thellon tensionet ndëretnike dhe kthen rajonin në të kaluarën.
“Presidenti Vuçiq është po ashtu presidenti i juaj, dhe nuk është e sjellshme, shumë ofenduese për të tjerët që ta trajtoni atë e të flisni për të në atë mënyrë”- tha ai.
Gjuriq tha se brengën e tij kinse të dokumentuar mirë sa i përket pozitës së komunitetit serb në Kosovë dhe dorës së zgjatur për bashkëpunim me popullin shqiptar, ai tha se “këtu përfaqësuesja e regjimit të Kurtit u përgjigj edhe një herë me refuzim të procesit të normalizimit me një gjuhë të papranueshme e ofenduese”.
Gjuriq tha se nuk kanë konflikt me popullin shqiptar, vetëm se kanë probleme me një regjim që, siç e pretendon ai, sistematikisht shtyp komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë.
Krejt në fillim të sesionit të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku u shqyrtua raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë, Gërvalla ia tërhoqi vërejtjen Gjuriqit që mos ta quajë Kosovën “Kosova dhe Metohi”, pasi që Kosova është Republikë.
“Nuk ka vend në botë, në këtë glob që quhet ‘Kosovë e Metohi’, është Kosovo, Kosova, Republika e Kosovës, por që do të ishte e njëjta gjë të fillojë ta quaj… apo me ndonjë emër tjetër, por nuk do ta bëj këtë”- tha Gërvalla.
Gjuriq nisi fjalinë e tij duke thënë se “Po filloj duke ju falënderuar për një vëmendje të vazhdueshme për sa i përket krizave në Kosovë dhe Metohi”.
Në përgjithësi, përfaqësuesit e shtetevë të ndryshme në OKB kërkuan që të dy vendet të angazhohen në dialog me qëllim të gjejnë një zgjidhje përfundimtare që çon drejt njohjes së ndërsjellë.