Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, ka treguar se si dikaster janë duke punuar që të bëjnë ndërlidhje në mes të bizneseve vendore me ato ndërkombëtare.
Dhe kjo synohet që të bëhet duke avancuar diplomacinë ekonomike.
“Diplomacia ekonomike është një prej temave kryesore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe në komplet resorin qeveritar dhe ministritë e linjës së ekonomisë”, është shprehur Gashi në Klan Kosova.
“Si MPJD po punojmë që të kanalizojmë energjinë e bizneseve tona dhe partnerëve në formatin e forumeve të ndryshme. Mbajtëm forumin Kosovë-Kroaci që afroi rreth 150 biznese. Synimi pra ka qenë ndërlidhja dhe roli ynë është i lehtësuesit”.
Gashi ka theksuar se përmes diplomacisë ekonomike, synohet që të bëhet promovimi i produkteve “Made in Kosova”.
Derisa ka folur për këtë pjesë ajo ka treguar se në muajin prill do të mbahet Forumi Ekonomik Kosovë-Itali, ku ka nënvizuar edhe organizimin e një forumi me bizneset me pronarë shqiptarë që operojnë gjithandej Evropës.
Për të arritur tek caku, zëvendësministrja ka treguar se janë të angazhuar 40 ‘diplomatë të ngarkuar me punë’.